E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami, drejt Premierligës

Mesfushori i Twentes, Emir Bajrami mund të bëjë një hap të madh në karrierë, duke kaluar në njërën prej ligave më të fuqishme në Evropë, Premierligë. 23 vjeçari kërkohet nga West Bromwich Albion, që me transferimin e tij synon të eliminojë problemet në repartin sulmues.

Emir Bajrami mund të ndahet me Twenten gjatë këtij dimri. Ai mund ta vazhdojë karrierën në Premierligë, pasi që ekipi anglez, West Bromwich Albion ka shprehur interesim për 23 vjeçarin.

Bajrami është bërë njëri prej futbollistëve kryesorë të Twentes këtë sezon, duke bërë 21 paraqitje dhe realizuar katër gola. Kjo, sipas ueb faqes SkySports.com, i ka rënë në sy menaxherit të WBA-së, Roy Hodgson, i cili synon ta transferojë Bajramin para mbylljes së afatit kalimtar të janarit.

Bajrami ka përforcuar statusin e titullarit në Enschede pas vështirësive në sezonin debutues, kur ishte kryesisht rezervist i Bryan Ruizit, tani futbollist i Fulhamit. Reprezentuesi suedez erdhi në De Grolsch Veste nga Elfsborg më 2010.

Hodgson synon transferimin e Bajramit për të përforcuar opsionet sulmuese, pasi skuadra e tij aktualisht gjendet në pozitën e 15-të në Premierligë. Për ta pasur Bajramin nën urdhrat e tij, Hodgson duhet të bind trajnerin e Twentes, ish selektorin e Anglisë, Steve McClaren, i cili e ka aktivizuar kosovarin si titullar në dy ndeshjet e tij të para në Eredivisie, pas rikthimit në bankinën e ekipit holandez më herët gjatë këtij sezoni.

Interesimi i Hodgsonit për Bajramin vjen pas konfirmimit se nuk do të transferojë mesfushorin e Zenit St Petersburgut, Szabolcs Huszti për shkak të brengave rreth formës së tij fizike.

Lajmi për interesimin e WBA-së për Bajramin është përhapur edhe në mediet suedeze, të cilat kanë publikuar një deklaratë nga menaxheri Patrick Dark, i cili refuzoi të komentojë mundësinë e transferimit të klientit të tij në Premierligë.

“Nuk dua të komentoj rreth kësaj”, ka thënë Dark për ueb faqen fotbollskanalen.se. Përveç statusit të titullarit në Twente, Bajrami ka filluar të luajë edhe rol të rëndësishëm në Kombëtaren suedeze, ku ka qenë i përfshirë në fushatën kualifikuese për Euro 2012.

Suedia e siguroi kualifikimin e drejtpërdrejtë në garën e kësaj vere në Poloni dhe Ukrainë dhe do të jetë në grupin D me Ukrainën, Francën dhe Anglinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›