E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani bllokon Gavën, Galica pret lejen e Lazes për të shkuar te Tomori

Nga Elton Karaj

Drejtuesit verdheblu nuk duan që mesfushori të kalojë te Shkumbini, ndërsa sulmuesi shkodran kërkon mirëkuptim nga presidenca

Gjatë merkatos së janarit është folur shumë për një largim të mundshëm nga Elbasani të mesfushorit Orgest Gava drejt Shkumbinit. Edhe vetë futbollisti e ka pranuar më parë se ishte pranë kalimit te fqinjët peqinas, që luajnë në superligë, por drejtuesit verdheblu e kanë bllokuar këtë lëvizje. Sipas drejtuesve të klubit, Gava është në Elbasan dhe së shpejti do kthehet në stërvitje, pasi tani është i dëmtuar.

Në Elbasan e shohin Gavën si shtyllën e mesfushës dhe duket se presidenti Arben Laze nuk do që të privohet nga aftësitë e një titullari cilësor, që më parë ka qenë edhe pjesë e kombëtares U-21. Sot është dita e fundit e merkatos dhe çështja pritet të marrë zgjidhje zyrtare, megjithatë duket se drejtuesit e ekipit janë të vendosur për të mos e lejuar Gavën të largohet. Mesfushori vjen nga ekipet zinxhir të Elbasanit dhe sezonet e fundit ka qenë ndër futbollistët kryesorë të verdhebluve.

Galica është kthyer dje në stërvitje, pas provës

10-ditore në Egjipt. Ky pa dyshim që është një lajm mjaft i mirë për stafin e Elbasanit, që, pavarësisht përpjekjeve të ditëve të fundit, nuk ka arritur të gjejë një sulmues tjetër cilësor për fazën e dytë. Por jo gjithçka përfundon këtu, sepse për Galicën ka edhe një interesim nga Tomori. Futbollisti shkodran, që dje ka festuar

23-vjetorin, shprehet se dëshira e tij është të luajë në superligë fazën e dytë, për të shkuar në Egjipt në qershor, pasi atje ka firmosur një parakontratë. U ktheva në Shqipëri për të qëndruar 6 muaj, sepse në qershor do të shkoj në Egjipt. Atje kam firmosur një parakontratë me një ekip të Kairos, por transferimi bëhet vetëm në qershor. Tani do ti kërkoj me mirëkuptim presidentit Arben Laze që të më lejojë të kaloj te Tomori, që po më kërkon.

Do ti lutesha që të mos më pengojë të luaj në një nivel më të lartë, në superligë. Kjo gjë është në të mirën time, pasi do të jem më i përgatitur, kur të shkoj për të luajtur në kampionatin egjiptian. Mendoj se do të biem dakord me presidentin Laze dhe, nëse shkoj te Tomori, do të ishte dhurata më e bukur me rastin e ditëlindjes sime, ka thënë sulmuesi Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›