E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet grabitësi i bankës së Tropojës

 

Fatos Mahmutaj

Ekstradohet nga Franca ish-polici i akuzuar për pjesëmarrje në grabitjen e bankës së Tropojës në vitin 1998. Zyra Qendrore e Interpolit konfirmoi dje se 40-vjeçari Petrit Brahaj i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vuajtur dënimin me 10 vjet burg që i është dhënë në mungesë pesë vjet më parë nga gjykata e Bajram Currit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Brahaj u ekstradua nga Franca ku ishte arrestuar rreth një vit më parë, në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë. Urdhër-kërkimi ishte qarkulluar nga Interpoli, pas dënimit të dhënë ndaj 40-vjeçarit nga Gjykata e Tropojës më 30 mars 2004, të cilin e ka lënë në fuqi Apeli i Shkodrës plot një vit më vonë, më 30 mars 2005. Togat e zeza e kanë deklaruar fajtor 40-vjeçarin Brahaj për akuzën e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim dhe parashikuar nga nenet 136 dhe 25 të Kodit Penal.
Grabitja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të 29 tetorit 1998, ende pa u bërë një ditë nga momenti kur në degën e ish-Bankës së Kursimeve të qytetit të Bajram Currit kishte mbërritur një shumë prej 60 milionë lekësh të reja. Pas veprimeve të rregullta ditore bankare, nga shuma në fjalë kishte mbetur shuma prej 49 milionë e 361 mijë lekë, bilanc ky i nxjerrë nga punonjësit e bankës, pak çaste para lënies së punës dhe mbylljes së bankës. Të nesërmen në mëngjes, punonjësit e bankës së Bajram Currit kur kanë shkuar në punë kanë vënë re se dritarja e bankës ishte hequr dhe kanë shkuar menjëherë për të verifikuar nëse ndodheshin paratë brenda në bankë, por nuk kanë gjetur asnjë qindarkë nga shuma e parave të lëna një ditë më parë. Menjëherë këta punonjës kanë lajmëruar policinë për vjedhjen e bankës.
Mekanizmi
Hetimet kanë çuar në konkluzionin se personat që kishin vjedhur të gjitha paratë e bankës, kishin hequr në fillim dritaren e ndërtesës dhe më pas kishin hyrë brenda për të marrë paratë. Gjatë largimit me paratë e bankës, hajdutët kishin harruar të largonin e të fshihnin nga vendi i ngjarjes dritaren e hequr, e cila më pas u mor në cilësinë e provës materiale. Ishte pikërisht kjo dritare, e cila, pasi u mor në analizë nga ekspertët e laboratorit kriminalistik në Tiranë, bëri të mundur identifikimin e personave që kishin vjedhur paratë. Në bazë të shenjave të gishtërinjve u arrit në përfundimin se në dritare kishin mbetur gjurmët e gishtërinjve të dy personave, njëri prej të cilëve ishte polici Petrit Brahaj, ndërsa personi tjetër që ka bashkëpunuar me të pandehurin, ende nuk është identifikuar. Prokuroria gjatë gjykimit ka provuar gjithashtu se lënia e gjurmëve nuk mund të ketë qenë e rastësishme, pasi në bazë të ekspertizës kriminalistike, gjurmët e gishtërinjve të mbetura në dritare i përkisnin personave që e kishin hequr atë, pasi, kjo vërtetohej në bazë të formatimit të gjurmëve të lëna. Po kështu provë e rëndësishme ndaj Brahajt kanë qenë edhe dëshmitë e shumta të siguruara nga organet e hetimit.
Mbrojtja
Mbrojtja e të pandehurit të gjykuar në mungesë ka pretenduar në proces se klienti i tij Brahaj, kishte qenë në vendin e ngjarjes për të kryer detyrën si punonjës policie. Gjurmët e gishtërinjve kishin mbetur në vendngjarje gjatë periudhës kur po kryente shërbimin e ngarkuar nga eprorët, më saktë nga shefi i policisë në atë kohë, i cili e kishte urdhëruar të shkonte në bankë dhe të hiqte materiale që mund të ishin futur brenda ambienteve të bankës, në atë periudhë të vështirë që po kalonte vendi ynë. Nisur nga ky fakt, sipas tyre, shenjat e gishtërinjve në dritare nuk përbënin një fakt të saktë për përvetësimin e parave, pasi objekti ku janë gjetur ato mund të ishte prekur në çfarëdo rrethane tjetër, përveç asaj të kapjes dhe heqjes së objektit në fjalë.

Petrit Brahaj, si i shpëtoi akuzave të rrëzuara për vrasjen e Hajdarit
TIRANE - Petrit Brahaj ka lindur më 8 nëntor 1969 në fshatin Babinë të Tropojës dhe rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në vitin 2001, pak kohë pas plagosjes në një atentat të ndodhur më 20 gusht 2001 në fshatin e tij. Si pasojë e të shtënave ai mori plagë të shumta, duke mbetur i paralizuar. Në mënyrë që të kurohej në spitale të specializuara, ai ka udhëtuar drejt Turqisë dhe më pas drejt Francës, shtet në të cilin qëndroi dhe u strehua më vonë. Ndërkohë Brahaj u akuzua pas ekzekutimit të deputetit demokrat Azem Hajdari të ishte një nga autorët, por hetimet nxorën se ky nuk ishte përfshirë dhe se nuk kishte lidhje me këtë ngjarje. Por ngjarja për të cilën ai do të shpallej në kërkim ndërkombëtar do të ishte grabitja e bankës së Tropojës. Për këtë krim Brahaj u gjet fajtor dhe u dënua me 10 vjet burg në mungesë, vendim i cili mori formë të prerë në vitin 2005, kur Apeli i Shkodrës la në fuqi atë çka kishte vendosur më parë Gjykata e Tropojës. Ndërkohë në Francë, veç arrestimit me qëllim ekstradimi në Shqipëri, Brahaj ka kaluar në burg thuajse të gjithë vitin 2007. Ai është prangosur më 2 janar 2007 dhe është liruar nga burgu më 17 dhjetor të atij viti, ndërsa akuza ishte mbajtja peng e fëmijës. Gjithçka ishte sqaruar më vonë, pasi ka rezultuar se ai mbante vajzën e vet, që e kishte marrë në këtë shtet pas divorcit nga bashkëshortja, e cila jeton në Amerikë si azilante. Në një prononcim për mediat që dha pak kohë më parë nga Franca, Brahaj pohoi se në vendimin e divorcit të bërë në gjykatat shqiptare, ishte vendosur që vajzën e tyre ta mbante nëna. Ish-bashkëshortja ishte larguar në SHBA ku kishte fituar statusin e azilantes, ndërsa vajzën e kishte marrë i ati në Francë. Por pas arrestimit të tij, gruaja kishte udhëtuar nga SHBA në Francë, ku kishte treguar se kujdestaria mbi fëmijën i ishte dhënë asaj nga gjykata. Por në pamundësi të nënës për ta marrë vajzën në SHBA, pasi nuk dispononte dokumente, fëmija është kthyer në Shqipëri dhe sipas Brahajt mbahet nga prindërit e ish-bashkëshortes. Tashmë ish-policit Brahaj i duhet të vuajë në qeli dënimin e marrë në mungesë.          f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›