Devolli mban larg Vllazninë
Superndeshja e javës së 12-të të kampionatit kombëtar të futbollit, midis Tiranës e Vllaznisë, është mbyllur në barazim me rezultatin 1:1. Sfida e djeshme nisi me vrull të madh që nga minuta e parë dhe miqtë u treguan më këmbëngulës në 45-minutëshin e parë. Shkodranët sulmojnë e kundërsulmojnë rrezikshëm me anë të Dhëmbit dhe Boadusë, por pa sukses, pasi “Tata” ishte dje në një formë të shkëlqyer. Në minutën e pestë, Dhëmbi shfaqet i vetëm me Nallbanin dhe ka kohën e mjaftueshme për të shënuar, por në fund parabola e nisur prej tij pritet në dy kohë nga gardiani veteran i Tiranës. Po ashtu, portieri thyen edhe në raste të tjera Dhëmbin dhe Boadunë, por në minutën e 32-të dyshja shkodrane e sulmit arrin të kombinojë bukur dhe në fund ganezi mposht “Tatën”, duke kaluar Vllazninë në avantazh. Sidoqoftë, atë që nuk e bëri në pjesën e parë, Tirana e realizon në 45-minutëshin e dytë. Tirana ia arriti qëllimit në minutën e 80-të, kur Devolli shfrytëzoi me kokë krosimin nga këndi të Muzakës dhe dërgoi topin në rrjetë.
Teuta-Dinamo ndahen në barazim
Teuta nuk dha atë që pritej prej saj, pavarësisht se kroati modest i pankinës dinamovite e ngriti në qiell nivelin e sfidës së djeshme në stadiumin “Niko Dovana”. Takimi mes këtyre skuadrave përfundoi pa gola. Rastet për shënim ishin sporadike. Nga Dinamo numërohen më shumë aksione sulmuese, por rruga për tek goli mbeti utopi. Qetësia dhe bukuria e lojës, për pak sa nuk u “dogj” me momentin e minutës së 90-të. Qorri gjuan sapo shkel vijën ballore të zonës së rreptësisë, shkarkon një të majtë marramëndëse dhe Hoxha kapet në befasi. E teksa durrsakët nisin festën, flamuri i anësorit nga Patosi, Arian Mali u kujton se shifrat janë po ato: zero me zero.
Partizani, përsëri hap fals
Derbi i mbijetesës për në kategorinë superiore, mes Partizanit dhe Lushnjes, për fat të keq nuk ka prodhuar asgjë për t’u mbajtur mend. Një barazim i thatë, që e shtoi më shumë të ftohtit e dimrit. Jo vetëm kaq, por nuk ngrohu as tifozët e Partizanit, të cilët janë dëshpëruar dhe më shumë kur shohin që skuadra e tyre e zemrës vazhdon të zhytet dhe më shumë në krizë. Ndërkohë në fazën e dytë Partizani ka shansin e keq që do të shkojë si në Fier, ashtu dhe në Ballsh, kurse Lushnja i pret të dy këto skuadra në “Roza Haxhiu”.
Elbasani ndalet në Fier
Ekipi i Apolonisë ka barazuar me Elbasanin në shtëpinë e vet me rezultatin 2-2. Në minutën e 27-të Kelmendi manovron bukur nga krahu i djathtë, harkon në zonë dhe aty Xhunior gjuan saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë e duke e kaluar ekipin e tij në avantazh. Elbasanasit barazojnë në minutën e 41 me anë të Bejzades. Pjesa e dytë fillon më e mirë për miqtë të cilët kalojnë në avantazh që në minutën e 4 me Abazajn. Në minutën 72-të sulmuesi Dhrami ndërmerr një aksion personal të cilin e finalizon po vetë duke shënuar golin e barazimit. Tre pikë të arta ka marrë dje në shtëpi Flamurtari. Vlonjatët fituan me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Besës. Në këtë sfidë gjithçka u vendos në 45 minutat e dyta. Fillimisht do të shënonte Brajkoviç në minutën e 53-të dhe në ekstremin e ndeshjes Çaushaj do të dyfishonte shifrat. Me fitore e mbylli javën e 12-të edhe Bylisi, i cili mundi në stadiumin “Adush Muça” peqinasit me rezultatin 2-1.
Java e 12-të
Rezultatet
Teuta – Dinamo 0-0
Bylis – Shkumbini 2-1
Neves 28’, K.Dalipi 78’/Nora 56’
Flamurtari – Besa 2-0
M.Brajkoviç 53’, Çaushaj 90’+3
Apolonia – Elbasani 2-2
Zhunior 27’, Dhrami 72’/Bejzade 41’, Abazaj 49’
Partizani – Lushnja 0-0
Tirana – Vllaznia 1-1
Devolli 80’/Boadu 32’
RENDITJA
TIRANA 23
VLLAZNIA 22
SHKUMBINI 19
DINAMO 18
ELBASANI 17
TEUTA 17
FLAMURTARI 16
BESA 16
BYLIS 15
APOLONIA 12
PARTIZANI 8
LUSHNJA 8