E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kukës, i ra depozita në kokë, vdes 65-vjeçari

 

KUKES – Humb jetën në spital i plagosuri i stuhisë të së shtunës në Kukës. Shemsi Tota, 65 vjeç nga Kukësi pësoi dëmtime të mëdha në kokë, për shkak se një depozitë uji i ra përsipër, pasi u shkëput nga tarraca e një pallati 6-katësh. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur Tota sapo kishte dalë nga shtëpia dhe po kalonte në qendër të qytetit. Nga era e fortë, që pushtoi të gjithë vendin, i gjithë qyteti i Kukësit pësoi probleme. Shkulje pemësh, rrëzime tabelash e deri te fluturimet e depozitave të ujit. Fati i keq bëri që një prej tyre të lëndonte 65-vjeçarin. Ai u dërgua me shpejtësi në spitalin e Kukësit, ku mjekët pohuan se gjendja ishte kritike. Mëngjesin e djeshëm, Tota ndërroi jetë në spital, si pasojë e dëmtimeve të shumta nga goditja e marrë. Po dje situata ka qenë problematike në të gjithë qarkun e Kukësit. Në rrugën nacionale Kukës-Krumë, një furgon i Hasit doli nga rruga bashkë me 4 udhëtarë, pasi rrëshqiti mbi asfalt. Për fat, nuk pati të lënduar rëndë. Ndërkohë, në zonën e Qafë-Malit, gjatë ditës nuk ka pasur probleme, por gjatë natës, aksi kombëtar që kalon në këtë vend konsiderohet i rrezikshëm. Temperaturat e ulëta shkaktojnë akull mbi rrugë, duke u bërë problem për drejtuesit e makinave. Reshjet e borës kanë vazhduar në zonat e thella malore edhe gjatë ditës së djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›