Kantieri, notë proteste pas përplasjes
DURRES/ OERD ULQINI
Pas aksidentit të rëndë detar, që përfshiu portin e Durrësit ka reaguar me një notë të ashpër proteste edhe kantieri i riparimit të anijeve “Kurum Shipping”.
Doku i kësaj shoqërie, ku kanë aksione të përbashkëta shteti shqiptar dhe pala turke është bërë shënjestër e tragetit “Aurelia”, që në orët e para të stuhisë. Një sipërfaqe prej 120 metrash katrorë, nga konstruksioni metalik i dokut është shpërbërë. Përmes notës së protestës kantieri kërkon bllokimin e çdo lundrimi të “Aurelia”-s, si një garanci për dëmshpërblim. Ky mjet ka goditur fuqishëm me bashin e anijes pjesën fundore të dokut, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit. Disa kolona të dokut janë shkulur nga vendi, ndërsa pjesa e dëmtuar është e konsiderueshme. “Nuk mund të them se cila është fatura e përgjithshme e dëmtimeve të shkaktuara nga përplasja. Kemi një pjesë të dukshme të dëmit, që është në sipërfaqe, por edhe një pjesë të padukshme të tij. Për të vlerësuar me korrektësi dëmin sipërfaqësor dhe atë të brendshëm duhen disa ditë kohë. Më parë do të duhet të çmontojmë dokun për të vlerësuar dëmet që nuk duken nga jashtë”, tha drejtori i kantierit, Sokol Plani. Në rast se sipërmarrja e lundrimeve “Tirrenia” nuk paguan dëmshpërblimin ose ofron më pak sesa dëmi i shkaktuar, atëherë ka shumë gjasa, që shoqëria turko-shqiptare “Kurum Shiping” të hedhë në gjyq italianët. Ashtu sikurse drejtori Plani edhe pronarët e dy peshkarexhave të mbytura, apo atyre të dëmtuara sytë i kanë nga “Tirrenia”. Por në notën e protestës detare veç tragetit “Aurelia” dhe shoqërisë “Tirrenia” është shënjestruar me akuza edhe Kapitaneria e Durrësit. “Kjo është çmenduri. Si mund të lejohet të hyjë në port një anije në kushte të tilla moti. Është jo vetëm çmenduri, por edhe diletantizëm i atyre që duhet të jenë profesionistët e detit”, tha Qemal Xhan, administratori turk i kantierit detar. Nxjerrja jashtë përdorimit e dokut jo vetëm që ka ndërprerë procesin e riparimit të anijeve, por edhe ka lënë pa punë dhjetëra punëtorë. E rëndë paraqitet situata edhe në dy pontilet e peshkimit. “Taulanti” dhe “Aquarius 3” dy anijet, të cilat ndodhen në fund të ujit kanë bllokuar jo vetëm trafikun detar, por janë duke shkaktuar edhe dëme të rënda mjedisore. Mësohet se ata kanë pasur në serbatorë një sasi prej 15 mijë litrash karburant, e cila me mbytjen e anijeve ka nisur të shpërndahet në det. Burimet portuale bëjnë me dije se, veç faturës së dëmeve në peshkim dhe kantier, e cila arrin një vlerë të përafërt prej 300 mijë eurosh, problem është bërë edhe pastrimi i portit nga anijet e mbytura dhe nafta e derdhur. Ky dëm ekologjik i pavlerësuar më parë mund të rëndojë më tej në faturën e “Tirrenia”-s. Nga ana tjetër kompania italiane e lundrimeve, e cila konsiderohet si një ndër më seriozet në Mesdhe do të dërgojë në ditët e ardhshme specialistët e saj të vlerësimit të dëmeve. Pala italiane siguron atë shqiptare se “pagesa e dëmshpërblimeve është e garantuar nga siguracioni ndërkombëtar i mjeteve lundruese”. Burimet saktësojnë se “Tirrenia” ka kryer një siguracion të dyfishtë, i cili mbulon të gjitha llojet e aksidenteve detare, përfshirë ato që ndodhin nga forcat madhore të natyrës apo nga gabime njerëzore”. Edhe pala italiane ka pësuar dëmtime serioze në bashin e “Aurealia”-s, traget i cili ndodhet akoma i bllokuar në Durrës, për arsye hetimi.