E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jonida: Jo më me këngë për drama dashurie

 

Alma Mile

Kur emri i saj prezantohet në skenë, pritet padyshim ndonjë çudi, por këtë herë ajo i kishte të gjitha parashikimet. Nuk është më vajza e ëmbël, me fustan sipas modës së fundit, por me një paraqitje tërësisht rebele. E tillë është kënga, por edhe look-u i saj. Dhe ky ndryshim duket se i solli fat Jonida Maliqit. Me këngën “Njëri nga ata”, ajo është fituesja e edicionit të dhjetë të festivalit “Kënga Magjike”, i cili u zhvillua përgjatë tri netëve në Pallatin e Kongreseve, si një produksion i “Jon Music” dhe nën drejtimin e Ardit Gjebresë. Pas votimit të vetë këngëtarëve, Maliqi fiton edicionin e dhjetë me një këngë të krijuar nga Kaliopi, Aida Baraku e Darko Dimitrov. Një ditë pas finales së madhe, Jonida Maliqi rrëfen emocionet e saj për gazetën “Panorama”. 
Në jubileun e “Kënga Magjike”, ju vlerësoheni me dy çmime të mëdha, çdo të thotë kjo për ju?
Përpara se të merrja çmimin e madh, u vlerësova me një tjetër çmim të rëndësishëm “10 vjet histori Kënga Magjike”. Kjo ishte tepër e rëndësishme për mua, sepse do të thotë që “Kënga Magjike” e ka vlerësuar kontributin tim në këtë aktivitet. Unë u rrita në këtë skenë. Kam marrë pjesë qysh në edicionin e parë dhe në mos gaboj kjo ishte pjesëmarrja ime e 7-të. I kam të gjitha edicionet e regjistruara dhe kur shoh veten time, vërej ndryshime rrënjësore tek vetja, qoftë në imazh, paraqitje, por më së shumti ndjej se jam rritur profesionalisht. Kisha munguar dy edicione me radhë dhe doja të kthehesha me një paraqitje të denjë dhe të them të drejtën kjo është ndër të paktat këngë, që e kam dashur me gjithë shpirt dhe doja të jepja maksimumin.
Si e pritët çmimin e parë?
Kjo ishte e papritur. Natën e parë kisha emocione shumë të forta dhe kur publiku më duartrokiti gjatë dhe u ktheva sërish në skenë, kam qarë pas kuintave. Dje isha më e sigurt, isha e përshkuar nga të tjera emocione, megjithatë kisha një ankth që më brente. Konkurrenca ishte e madhe, kishte këngë të mrekullueshme dhe nuk e prisja këtë çmim. Kur u dha çmimi i tretë, i dytë, sytë e kolegëve u drejtuan nga unë, por nuk doja ta besoja, nuk doja të zhgënjehesha. Dhe momenti më i bukur ishte kur Arditi prezantoi çmimin e parë dhe publiku tha në një zë emrin tim.
Çdo të thotë të marrësh vlerësimin e kolegëve?
Të marrësh vlerësimin e kolegëve është vërtetë shumë e rëndësishme dhe nuk është një votim i lehtë. Por vlerësimi i publikut ju siguroj është edhe më i madh, sepse pa ata, ne nuk jemi asgjë. Është publiku që na bën këta që jemi.
Këtë vit erdhët me një këngë të Kaliopit, kompozitore dhe këngëtare maqedone, si ishte ky bashkëpunim?
Ka qenë një bashkëpunim fantastik. Ajo është një artiste me famë në ish-Jugosllavi dhe të punoje me të ishte një fat i madh, por ajo që i vlerësova më shumë ishte thjeshtësia. Më ndenji pranë gjatë gjithë kohës, gjatë orkestrimit me Darko Dimitrov dhe regjistrimit. Mund të them që mes nesh lindi një “feeling” artistik, që nuk më ka ndodhur me asnjë artist tjetër. Përveçse një idhull për mua, ajo është personifikimi i artistes ideale. Them se bashkëpunimi ynë do të vijojë më tej. Unë jam një këngëtare profesioniste, jam shkolluar për këtë gjë, ndërkohë që e dimë që skenat tona janë të mbushura me pseudokëngëtarë, që suksesin e tyre ia dedikojnë ndoshta diçkaje tjetër dhe jo talentit. Kështu që për mua ka shumë rëndësi profesionalizmi. Nuk është se deri më sot më ka munguar krijimtaria e mirë, por është edhe çështje fati, pjekurie. Më duhet të them se 2008-a është viti i ngjarjeve të mëdha në jetën tim.
Në tekstin e këngës tuaj thuhej: “Nuk dua të jem njëri nga ata”. Kush janë ata?
Ishte dëshira e Kaliopit të bashkëpunonim për tekstin me Aida Barakun. Personalisht nuk doja më një këngë që t’i këndonte dramave të dashurisë, por muzikës si ndjenjë. Pas shumë debatesh vendosa t’i dërgoj një e-mail të gjatë mbi konceptin tim. Kam lindur, jam rritur e ndoshta do të vdes me muzikën dhe për mua ajo është një dashuri po aq e madhe sa dhe dashuria për jetën. Nuk ka njeri që në jetën e vet të mos ketë pasur momente gëzimi e trishtimi, të cilat i lidh me një këngë. Në tekstin e këngës sime thuhet: “Kënga ime, arma ime, paja ime.../ je burg dhe fushë e luleve”. Ata që më kanë ndenjur pranë e dinë se unë e marr shumë seriozisht punën dhe përgjatë 3 muajve që punoj për këngën jam vërtet një e burgosur. Dhe unë nuk dua të jem një si ata që nuk e kuptojnë muzikën, që nuk e trajtojnë atë si ndjenjë dhe që pëlqejnë gjërat e rëndomta.
Ndoshta kjo shpjegon dhe paraqitjen tuaj si një vajzë rebele në skenë?
Vetë kënga mbartte në vetvete një lloj tensioni, që kërkonte me doemos që ta shpalosja. Ishte momenti që të tregoja agresivitetin tim. Ishte një lloj rebelimi që vjen prej pyetjes pse po degradon kështu muzika. Në këtë paraqitje doja të falënderoja dhe miqtë e mi, balerinët Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, që arrijnë të më kuptojnë se ç’dua. Nuk pretendoj të jem balerinë, por të bëj një paraqitje sa më dinjitoze.
Mësuam se sot duhet të ishe diku tjetër, në një gëzim familjar...
Kjo ishte një ditë shumë e rëndësishme për motrën time. Pasi kishte bërë celebrimin në bashki, e cila u shoqërua me një ceremoni, ku ishin të ftuar 600 vetë, ishte radha e ceremonisë në kishë. Duke jetuar në Qipro, ky moment është shumë i rëndësishëm. Do të jetë një ceremoni, madhështore ku do të jenë 2 mijë të ftuar, por unë nuk mund të jem (mos më bëj të qaj tani).
Gjithsesi u kompensove deri diku për këtë mungesë, apo jo?
Jo, jo, këto të dyja nuk kanë lidhje. Dikur, kur isha më e vogël e vija profesionin tim mbi gjithçka, kurse tani, që kam krijuar familjen time them se nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo. Prindërit e mi më kanë qëndruar shumë pranë, më kanë mbështetur në çdo moment. Edhe mbrëmë nuk mundën të ishin në sallë (aty ishte bashkëshorti dhe familja e tij), por e di që ishin në tension për mua. Në jetë ke mundësi të zgjedhësh shoqërinë, apo njeriun, me të cilin do të jetosh, por prindërit nuk mund t’i zgjedhësh. Ata janë një dhuratë e Zotit dhe unë jam me shumë fat që i kam. Më kanë dhënë shumë dashuri.

ÇMIMET E NATËS FINALE

• “Jon Music”: Teuta Kurti – “Nuk dua të pres”
• “Tendencë”: Qelbanix – “Butoni play”
• “Magjia e parë”: Dafina Zeqiri – “Bateritë”
• “Kantautori më i mirë”: Mariza Ikonomi – “Me sytë lart”
• “Best Melody”: Yllka Kuqi – “Vetëm nga ti”
• “Çmimi i interpretimit”: Eliza Hoxha – “Shko”
• “Çmimi i internetit”: Soni Malaj - “Shpirti im binjak”
• “Best vokal”: Hana Cakuli - “Simbol”
• “Çmimi televiziv”: Bleona Qerreti - “Magnetic”
• “Çmimi Fun Tune”: Eneida Tarifa - “Zëri im”
• “Kënga stil”: Kastro Zizo - “Bashkëshorti ideal”
• “Çmimi i kritikes”: Juliana Pasha - “1000 arsye”
• “Kënga hit”: Pirro Çako - “Anjushka”
• “Best Balade”: Silva Gunbardhi – “Të doja shumë”
• “Çmimi Publikut”: West Side Family – “Mbi gjithçka”
• “Best Group”: - Produkt 28 – “Missi im”
• “Çmimi Diskografik”: Aleksander Gjoka – 
• “Dashurisë së shkuar”
• “Çmimi 10 vjet histori”: Jonida Maliqi – “Njëri nga ata”
• “Çmimi Çesk Zadeja”: Rosela Gjylbegu –
• “Tjetra”
• “Best hip-hop”: Skillz dhe Stine – “Ndaloje vrapin”
• “Prezantimi skenik më i mirë”: Çiljeta – “Dutty free”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›