E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma shënon të dytën fitore radhazi

 

Frymëmarrje për skuadrën e Romës. Djemtë e Luçiano Spaletit kanë fituar bindshëm në transfertën e Leçes, duke gjunjëzuar vendësit me rezultatin 0-3. Vuçiniç e Juan në pjesën e parë dhe kapiteni Toti me një gol fantastik në pjesën e dytë janë autorët e golave për verdhekuqtë, të cilët tashmë mund të shkojnë më të qetë drejt ndeshjes së rëndësishme në Ligën e Kampioneve, kundër rumunëve të Kluzhit. Napoli ndalet në shtëpi në mënyrë surprizë nga një Kaljari, që beson deri në fund tek barazimi. Një gol në minutën e pestë shtesë shuan entuziazmin e napolitanëve, por mbi të gjitha çon skuadrën e Rejas gjashtë pikë larg Interit, duke bërë që bardhekaltrit tashmë t’i japin lamtumirën ëndrrës së tyre për titull. Edhe sfida tjetër interesante ndërmjet Lacios e Xhenoas mbyllet në barazim 1-1. Por pavarësisht rezultatit, janë kuqeblutë që kanë humbur dy pikë në transfertën e “Olimpikos”, pasi humbasin një 11-metërsh, u anulohet një gol i regullt e më pas portieri Rubinjo bën një gafë foshnjërake e cila u fal golin e barazimit lacialëve. Dy fitore të tjera të rëndësishme regjistrojnë Sampdoria e cila falë një dopietë të Kasanos merr tri pikë të merituara ndaj Katanias së Zengës, dhe Rexhina e cila thyen lehtësisht Atalantën e Del Nerit me rezultatin 3-1. Bolonja nën drejtimin tashmë të Sinisa Mihajloviç nuk njeh asnjë tjetër rezultat përveç barazimit, pasi edhe në sfidën e djeshme kundër Palermos ndalen në shifrat 1-1, duke kujtuar që ky është barazimi i tretë radhazi për kuqeblutë. Kievo zhytet gjithmonë e më thellë në renditjen e Serisë A, pasi është mundur në shtëpinë e saj nga dy 11-metërsha të realizuar saktë nga Siena e Xhanpaolos.   
Për kapitenin, Roma po rikthehet
Kapiteni i Romës, Françesko Toti, ka gjetur formën e tij më të mirë. Goli parabol i shënuar ndaj Leçes është treguesi më i mirë: “Kundër Leçes kemi marrë tri pikë të rëndësishme, por kur shënon është akoma edhe më mirë – ka thënë kapiteni i formacionit kryeqytetas. – Moduli i ri? Është efikas, duke pasur Baptistën, Vuçiniç dhe Menez shumë pranë meje, krijojmë më shumë raste të pastra për gol. Vendi i katërt? Është një objektiv më se i arritshëm për ne, sepse kampionati është ende i gjatë”. Kjo fitore ndaj verdhekuqve të Beretas duhet arkivuar sa më shpjet, sepse skuadrës së Spaletit tani i duhet të fitojë edhe kundër Kluzhit në Ligën e Kampioneve për t’u shëruar plotësisht: “Në Rumani na pret një ndeshje fondamentale - ka shtuar Toti, - sepse pas fitores me Çelsit kemi rihapur çdo diskutim për kualifikimin tonë, por tani do të synojmë të dalim të parët në grup”, përfundon numri 10 i Romës.

Klasifikimi
Inter        30
Milan        27
Juventus    24
Napoli        24
Lacio        23
Fiorentina    23
Udineze        21
Xhenoa        21
Katania        21
Atalanta        17
Palermo    17
Siena        16
Sampdoria    16
Kaljari        14
Roma        14
Leçe        12
Torino        12
Rexhina        11
Bolonja        9
Kievo        6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›