Falsifikimi i pensioneve, dëmi tre milionë dollarë
Dashamir Biçaku
Policia po zhvillon ekspertimin grafik të dosjeve që i përkasin personave, të cilët kanë përfituar pension minatori me anë të ryshfetit të paguar tek katër ish-zyrtarët e arrestuar tri ditë më parë në Tiranë, me akuzën e korrupsionit. Ata dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik rreth 3 milionë dollarë përmes dhënies së pensionit pa të drejtë, për rreth 200 persona, që kanë tërhequr paratë gjatë tetë viteve të fundit. Sipas të dhënave të deritanishme të grupit hetimor, mësohet se për një pjesë të mirë të dosjeve, hetuesit kanë verifikuar se falsifikimet dhe manipulimet janë bërë nga katër ish-zyrtarët e arrestuar. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama”, nga burime të Sektorit të Antikrimit Ekonomik të Policisë së Tiranës. Sipas të njëjtave burimeve, specialistët e Laboratorit Kriminalistik të Policisë Shkencore, kanë kryer ekspertimin e 200 dosjeve të përfituesve të pensioneve të minatorëve që dyshoheshin se ishin të falsifikuara. Sipas përfundimeve të arritura nga ekspertimi, të gjitha dosjet e dyshuara rezultonin false, ndërsa autorë të manipulimeve kanë qenë katër zyrtarët e arrestuar nga policia dhe prokuroria tri ditë më parë gjatë aksionit “Dosja e Hapur”. Rreth një muaj më parë, kur hetimi i dosjes së pensioneve të falsifikuara të minierës së Mushqetas pranë Kërrabës, ishte drejt përfundimit, policia e Tiranës dhe prokuroria, kanë kërkuar nga specialistët grafistë të Laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore, kryerjen e një ekspertimi grafik të hollësishëm për të gjitha dosjet e dyshuara. Në detyrat e deleguara laboratorit për ekspertim, mësohet se kanë qenë shkrimet dhe firmat e hedhura Fatbardha Sela 57 vjeçe, Flora Ceka 41 vjeçe, Zija Mema 70 vjeç dhe Agim Mema, 57 vjeç. Tre të parët kanë qenë ish-zyrtarë të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, të degës së Tiranës ndërsa Agim Mema, ish-drejtues i degës së kuadrit të minierës së Mushqetas. Vetë një pjesë e “pensionistëve” të marrë në pyetje kanë pohuar se ata kishin paguar vetëm paratë, ndërsa procedurat ishin ndjekur nga punonjësit e Sigurimeve, meqenëse ata nuk dinin të plotësonin formularët dhe kërkesat për pension. Nga konkluzionet e ekspertëve është mësuar se në të gjitha dosjet, vëreheshin qartë se shkrimet janë të personave të arrestuar. Gjatë hetimeve policia ka marrë dokumente në kartotekat e degës së Institutit të Sigurimeve me qëllim verifikimin e të gjitha procedurave, që ishin kryer prej të arrestuarve, të cilët kundrejt ryshfetit bënin dokumentet sikur përfituesit i plotësonin kriteret e kërkuara për pension. Sipas policisë kërkesat për pension pleqërie, formularë të ndryshëm si dhe pjesa tjetër e dokumentacionit ishin plotësuar nga vetë katër të arrestuarit. Prokuroria dhe policia, duket se me një veprim të tillë kanë dashur t’i paraprijnë një tentative të avokatëve mbrojtës, që mund të pretendonin se dosjet nuk ishin falsifikuar nga të arrestuarit por nga persona të tjerë. Në këtë mënyrë, ekspertimet kanë hedhur dritë mbi personat që kanë nënshkruar. Pak ditë përpara se të arrestoheshin, katër ish-zyrtarët e Institutit të Sigurimeve, një prej tyre aktualisht në Ministrinë e Ekonomisë, kanë përfunduar ekspertimet duke i dorëzuar bashkë me interpretimet përkatëse në organin e akuzës.
Të arrestuar
Fatbardha Sela
Ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë
Flora Ceka
Ish-inspektore e verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë
Zija Ramiz Mema
Ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, pensionist
Agim Mema, 57 vjeç
Zyrtar i “Albminiera” në Ministrinë e Ekonomisë
Zyrtarët e arrestuar, s‘pranojnë të dëshmojnë
TIRANE - Dëmi i shkaktuar për gjatë tetë viteve në arkën e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, që është rimbursuar në mënyrë të vazhdueshme nga buxheti i shtetit, mendohet të arrijë së paku në 300 milionë lekë të reja. Një fakt i tillë është pohuar nga burime të policisë, të cilat thanë se po bëjnë hetime lidhur me dëmin e shkaktuar nga veprimtaria e zyrtarëve të arrestuar në Institutin e Sigurimeve. Burimet e policisë pohojnë se prokuroria pritet të autorizojë një grup ekspertësh kontabël për të kryer përllogaritjen e saktë të dëmit të shkaktuar, nga ky abuzim. Ndërkaq pas arrestimit, katër personat e akuzuar për falsifikim të dosjeve të 200 personave që ishin paraqitur si “minatorë të minierës së Mushqetas”, zyrtarët nuk kanë pranuar të rrëfehen para hetuesve. Fillimisht ata kanë pohuar se nuk pranonin të flisnin pa praninë e mbrojtësve ligjorë. Por edhe pse kanë kërkuar të pyeteshin në prani të një avokati, sërish të arrestuarit kanë dhënë deklarime, që nuk bënin prezent asnjë fakt të ri për hetuesit.