E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri ende ne fuqi gjendja e jashtezakonshme

Presidenti sirian ka zhgënjyer qytetarët e vendit të tij, që protestojnë prej më shumë se dy javësh, kur e ka mbyllur fjalimin e rëndësishëm përpara kombit, pa njoftuar heqjen e ligjit të jashtëzakonshëm, në fuqi prej 48 vjetësh. Një ditë pas rënies së qeverisë së Damaskut, presidenti Basher al Assad ka premtuar të vërë në zbatim reformat e premtuara pas nisjes së trazirave.

Këto të fundit, jozyrtarisht mendohet se kanë një bilanc tragjik, 130 viktima, pasi policia hapi zjarr me plumba të vërtetë kundër protestuesve. Zyrtarisht bilanci është vetëm 30 të vrarë, por sipas agjencive ndërkombëtare, jo shumë i besueshëm pasi vetëm në një ditë në qytetin Daraa u vranë 20 njerëz.

Gjithsesi, dorëheqja e qeverisë që mendohet se mund të ulë tensionet në vend, është pasuar me një fjalim të presidentit që ka theksuar se do të rrisë pagat dhe do të bëjë funksional një program antikorrupsion në vend.

“Është detyrë e shtetit të dëgjojë qytetarët e vet, por ne nuk mund t’i japim mbështetje kaosit” ka theksuar Assad. Dhe në fund nuk ka munguar kërcënimi për qytetarët që mendojnë të vazhdojnë marshimet e protestës. “Nëse do na imponohet të zbresim në fushbetejë, ajo do të jetë e mirëpritur” ka thënë Asad, sipas të cilit situata aktuale po vë në provë unitetin e Sirisë.

Autoritetet kanë mobilizuar edhe turma mbështetësish në marshimet e së ashtuquajturës Dita e Besnikërisë ndaj Kombit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›