E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dhamë 200 mijë euro për pafajësinë e Klod Saliut”

 

I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Adriatik Coli, sjell fakte të reja të papërmendura më parë gjatë dëshmive të tij në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ditën e djeshme i penduari Coli pohoi përpara togave të zeza të Krimeve të Rënda, se ai dhe anëtarë të tjerë të bandës kishin paguar 200 mijë euro për nxjerrjen nga burgu si të pafajshëm të Klodian Saliut, njërit prej anëtarëve të bandës, i vrarë në një atentat mafioz në vitin 2008. I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, ishte i thirrur si dëshmitar në cilësinë e të bashkëpandehurit në procesin gjyqësor në ngarkim të Bujar Gashit. Në më pak se 60 minuta dëshmi në gjykimin e Gashit, i akuzuar si anëtar i “Bandës” që gjykohet i veçuar prej saj, Coli ka përmendur se ai dhe anëtarë të tjerë të organizatës kanë paguar një shifër të lartë për lirimin nga arresti të mikut të tyre, Klodian Saliut.
“Kemi paguar 200 mijë euro për të nxjerrë të pafajshëm Klodian Saliun nga burgu”, mësohet të jetë shprehur dje Coli gjatë dëshmisë. Burime konfidenciale pranë seancës, e cila zhvillohet me dyer të mbyllura për mediat, sqaruan se i “penduari” nuk ka dhënë detaje se ku i kishin dorëzuar paratë. Ndërkohë që u bë e ditur se shuma e parave, me anë të së cilës u mundësua lirimi i shokut të tyre, ishte siguruar nga veprimtaria e jashtëligjshme e trafikut të narkotikëve. Klodian Saliu doli nga burgu pak muaj pasi u arrestua në vitin 2000 si i dyshuar për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” të Viron Currit dhe Arjan Pajës, si dhe plagosjen e Marsel Sotirit. Ndërkohë që gjatë hetimeve, Saliu u akuzua edhe për vrasjen e Dritan Dishës. Po qëndrimi në qeli për Saliun ka zgjatur vetëm pak kohë, pasi çështja në ngarkim të tij u mbyll për mungesë provash. Burime pranë seancës sqaruan se në vijim të dëshmisë së tij, i penduari Coli i është përgjigjur pyetjeve të fundit të përfaqësuesve të akuzës, në lidhje me vrasjen e Dritan Dishës. Mësohet se Coli i është përgjigjur shkurtimisht saktësimeve të kërkuara nga Prokuroria për përfshirjen e të pandehurit Bujar Gashi në vrasjen e Dritan Dishës, në korrik të vitit 2000 në zonën e kënetës në Durrës.
Pasi organi i akuzës ka përfunduar me pyetjet drejtuar dëshmitarit Coli, togat e zeza kanë ftuar avokatin mbrojtës të të pandehurit. Mësohet se mbrojtësi ligjor ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me klientin e tij për pyetjet që do t’i drejtohen dëshmitarit. Në të tilla kushte gjykata ka ndërprerë seancën dhe ka caktuar një datë të re për zhvillimin e saj.

Vrasja e Dishës
Një seancë më parë, Adriatik Coli “solli” përpara togave të zeza të Krimeve të Rënda episodin e ekzekutimit të Dritan Disha, të njohur edhe si Tan Disha nga anëtarët e “bandës”. Sipas dëshmisë së të penduarit, vrasja e Dishës kishte pasur si zanafillë vrasjen e Mehmet Saliut në korrik të vitit 2000. Duke dyshuar se Mehmet Saliu ishte vrarë nga Erjon Lame, “banda” “shënjestron” Tan Dishën, pasi ai shoqërohej me Lamen. “Klodi me Plarentin vendosën që Tan Dishën ta vrisja unë me Indrit Doklen. Ai më thirri te shtëpia e tij rreth një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut. Aty ishte Indrit Taullai, që i thoshim Indriti i madh, Indrit Doklen që i thonim Indriti i vogël, Plarenti, Klodi dhe Bujar Gashi. Klodi na tha që Tan Dishën do ta vrasësh ti me Indritin i vogël”, dëshmoi Coli një seancë më parë. Po sipas të penduarit Coli, Bujar Gashi ishte bashkë me Colin, Indrit Doklen dhe Indrit Taullain në pritën që i kishin bërë Dritan Dishës.
“Pasi kemi ndenjur gjysmë ore në pritë në të dy anët e rrugës. Afër një gardhi ku kishte parkexh makinash, në krahun e kënetës ne dëgjuam një të shtënë pistolete që ishte sinjali që kishim lënë me Indritin për ardhjen e Tanit. Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij në anë të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe e qëllova me automatik, derisa mbarova një krehër. Pasi mbarova krehrin qëlloi Indriti. Në atë moment makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë ndërrova karikatorin u afrova rreth 1-2 metër dhe e qëllova Tanin edhe njëherë me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh, që kalon afër kënetës”, tregoi i penduari para togave të zeza.

NDARJA E BANDES
Pak pas daljes së Saliut nga burgu krisja në dy pjesë e bandës, që i kishte dhënë shenjat më parë, u formalizua. Pak ditë pasi ishte liruar nga qelia, Saliu ka bërë një vizitë në shtëpinë e të akuzuarit nga prokuroria si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha. Duke cituar Klodian Saliun, gjatë dëshmive të dhënë për procesin në ngarkim të bandës te Krimet e Rënda Coli ka pohuar se “Kishim ça kishim me Lulin, i pashë pisllëqet e tij dhe nuk më ka ndihmuar, tani ai në punën e tij, unë në punën time. Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ça kishim për të ruajtur, tani nuk jemi armiq dhe të shikojë çdo njëri punën e vet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›