E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga kushërinjve, grabisnin “Benzat”

 

TIRANE- Vetëm disa ditë pasi Policia e Tiranës ka goditur grupin e parë të vjedhjes së aksesorëve të makinave, kryesisht të atyre tip “Benz” dhe që janë modele të fundit luksoze, policia ka realizuar edhe një tjetër aksion të tillë të dielën. Operacioni i policisë ka nisur pas denoncimeve të disa personave që kanë konstatuar vjedhjen e pasqyrave dhe të dokumenteve të automjeteve të tyre. Sipas burimeve nga policia, denoncimi i parë është bërë ditën e premte, kur Alfred Marku, 33 vjeç, ka telefonuar në Komisariatin nr. 3 dhe ka denoncuar se i kishin vjedhur pasqyrat e mjetit të tij “Mercedes Benz”, me targa TR 3500 R. Kur policia ka marrë kontakt me të, ai ka shpjeguar se këtë e kishte vënë re rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur ishte zgjuar për të shkuar në punë. Ai ka shpjeguar se mjetin e ka pasur të parkuar te Rruga e Durrësit, në Laprakë. E menjëherë pas tij në sallën operative të policisë kanë mbërritur edhe 3 denoncime të tillë nga Lapraka dhe nga “Don Bosko”. Policia ka nisur menjëherë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Vetëm disa orë pas denoncimeve policia ka mundur të ndalojë dhe të çojë ne qeli autorët e dyshuar të vjedhjeve. Sipas policisë gjatë aksionit u arrestuan kushërinjtë Renato Shkëmbi, 20 vjeç dhe Bledion Shkëmbi, 25 vjeç, i dënuar edhe më parë për vjedhje. Mësohet se  është dokumentuar se këta dy persona kanë arritur të vjedhin pasqyrat e katër mjeteve në Laprakë. Ata nuk e kanë pranuar akuzën, por sipas policisë, u janë sekuestruar edhe disa sende të vjedhura, që i mbanin të fshehura në një mjet “Golf”, me targa TR 1460 C, që rezulton në pronësi të Renato Shkëmbit. Për këtë arsye, policia ka sekuestruar edhe mjetin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›