E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ndalohet drejtoresha e Tatimeve

 

TIRANE/FIER

Ndalohet nga policia 12 ditë pas emërimit në detyrë, drejtoresha e Tatim-Taksave në qytetin e Fierit. Nevila Bami, me profesion ekonomiste (eksperte kontabël), ish-kandidate e PD-së në qarkun e Fierit, e 15-ta në listë për këtë zonë, sipas policisë, akuzohet për “vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”.Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë, të cilat thanë se njëherësh dje janë arrestuar edhe tre ekonomistë të tjerë biznesesh VIP, gjatë aksionit të koduar me emrin “Fshehja”. Ndalimi i tyre është bërë me qëllim zbatimin e masave të arrestit vendosur nga gjykata disa ditë më parë. Oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, ekzekutuan vendimet e gjykatës për katër ekspertët kontabël, të cilët dyshohet se kanë dubluar bilance të firmave private, duke i shkaktuar shtetit dëmin prej 1 miliard lekësh të vjetra. Burime nga policia thanë se gjatë operacionit “Fshehja”, është ekzekutuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për ekonomistin Shkëlqim Sako dhe masat “arrest shtëpie” për ekonomistet Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla e Nevila Bami. Gjykata ka shqyrtuar provat e grupit hetimir të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës ditën e diel dhe ka vendosur që përkohësisht të ndalojë ushtrimin e veprimtarisë së ekspertëve kontabël, duke lejuar vijimin e hetimeve ndaj tyre.
Falsifikimet
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, ekonomistët akuzohen për “falsifikim vulash, stampash ose formularësh”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim. Policia sqaroi se strukturat e Antikrimit Ekonomik ushtruan një kontroll në banesat e tyre dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale disa kompjuterë, si dhe një serë dokumentesh financiare. Dyshimet për veprimtarinë e ekspertëve kontabël, janë ngritur fillimisht nga Bordi i Monitorimit, i ngritur posaçërisht për këtë problem nga Këshilli i Ministrave dy muaj më parë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, shkeljet janë konstatuar pas verifikimit të dy bilanceve të dubluara. Bilanci që predispozohej i rregullt, ai që do i dorëzohej strukturave tatimore, rezultonte të kishte mospërputhje të theksuara dhe mosakordim shifrash me atë që zotëronte biznesi. Të paktën në 3 raste që janë dokumentuar deri tani nga grupi hetimor, ka rezultuar se dëmi që është shkaktuar nga fshehja e të dhënave reale të bilanceve, përllogaritet në shumën 1 miliard lekë të vjetra. Ekonomistët fillimisht janë përgjegjës sepse marrin përsipër dublimet e bilanceve të kompanive private, në mënyrë që ato t’i shmangen detyrimeve tatimore, por në këtë mënyrë kanë shpërdoruar detyrën që u ka kushtuar karrierën në një afat të papërcaktuar. Kjo mënyrë operimi nga ekspertet kontabël, ka krijuar mjaft dëme në arkën e shtetit, por që në shumicën e rasteve nuk verifikohet dhe kompanitë private shtojnë vazhdimisht të ardhurat në dëm të shtetit.             e.d/m.r

TE AKUZUAR

1. Shkëlqim Sako, ekonomist, masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive”, akuzohet për “falsifikim të vulave stampave ose formularësh, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”

2. Ajeta Shkëmbi, ekonomiste, masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive”, akuzohet për “falsifikim të vulave stampave ose formularësh, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”

3. Marjana Palla, ekonomiste, masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive”, akuzohet për “falsifikim të vulave stampave ose formularësh, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”

4. Nevila Bami, ekonomiste, drejtoreshë e Tatimeve në Fier, masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive”, akuzohet për “falsifikim të vulave stampave ose formularësh, “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën”

Ekonomistja në masë “arresti”, ish-kandidate e PD-së në Lushnjë

FIER – Drejtoresha e Tatimeve të Fierit Nevila Bami është emëruar në detyrë në kohën kur po hetohej për akuzën “vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”. Vetëm dy javë më parë ajo është emëruar në detyrën e drejtoreshës së Tatim-Taksave të Fierit pas një karriere si inspektore e kësaj drejtorie dhe si eksperte kontabël në një studio private me bashkëshortin e saj në qytetin e Lushnjës, prefektura Fier. Burime të drejtorisë së policisë në këtë qytet, thanë se Nevila Bami prej vitesh ushtronte profesionin e ekonomistes si eksperte kontabël. “Ajo punonte në një studio ligjore të vetën në qytetin e Lushnjës”, thanë burimet nga policia e Fierit. Sipas tyre mësohet se Nevila Bami ka punuar në një zyrë më vete për disa kohë dhe më pas i është bashkëngjitur aktivitetit të së shoqit, Eduardit. Sipas policisë të dy ata ushtronin të njëjtin aktivitet në qytetin e Lushnjës. Nga të dhënat e policisë mësohet se e arrestuara ka qenë kandidate në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Nevila Bami ishte në listën shumemërore të PD-së si kandidate për deputete në Qarkun Fier, e 15-ta në listë. Sipas skemës së Kodit Zgjedhor asaj i ishte caktuar zona e kandidimit në qytetin e Lushnjës. Vetëm dy javë më parë, sipas burimeve nga policia e Fierit, Nevila Bami u emërua si drejtoreshë e Zyrës së Tatim-Taksave në drejtorinë rajonale të Fierit. Ajo u emërua në këtë post pas zbritjes në detyrë të paraardhësit të saj Dervish Beqiraj. Gjatë gjithë kësaj kohe e dyshuara ka qenë në hetim nga policia dhe Prokuroria. Hetuesit kanë sekuestruar në banesat dhe në zyrat e ekspertëve kontabël një sërë dokumentesh të hartuara prej tyre, të cilët po administrohen në cilësinë e provave materiale. Prokuroria konfirmon se të dyshuarit po hetohen edhe për dhjetëra raste të tjera të dyshuara për abuzime me bilancet dhe raportet e mbajtura për aktivitetet që kanë manipuluar të dhënat financiare mbi ecurinë e tyre në biznes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›