E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina tek Ekonomiku, studentët e pedagogët në protestë

 

Studentët e Ekonomikut në Universitetin e Tiranës protestuan sërish dje kundër ndërtimit të godinës private në oborrin e Fakultetit. Ata bojkotuan për 1 orë procesin mësimor. Në përkrahje të studentëve kanë qenë edhe pedagogët. Dekani Omer Stringa dhe kryetarja e Këshillit Studentor të këtij fakulteti ripërsëritën kërkesën për zgjidhje të menjëhershme të këtij problemi. Ndërkaq zv. dekani Fatmir Memaj shprehu  qëndrimin e tij edhe më të përshkallëzuar në lidhje me këtë çështje. Ai u  kërkoi studentëve bojkotimin pa afat të procesit mësimor deri në zgjidhjen e problemit. Sakaq Universiteti i Tiranës ka dërguar në gjykatë  padinë kundër ndërtimit të godinës në oborrin e Fakultetit Ekonomik. Kreu i këtij universiteti, Dhori Kule, sqaroi dy ditë më parë se Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar pas thirrjes për anulimin e lejes. “Aty është dhënë një leje nga Bashkia e Tiranës, e cila në vitin 2003 nga KRRTRSH e Republikës, ish-kryeministri Nano, është anuluar. Bashkia e Tiranës i dha leje në vitin 2005, përsëri ka një vendim të KRRTRSH së Republikës që e ka shfuqizuar vendimin e KRRTRSH-së së Bashkisë Tiranë dhe ka urdhëruar fillimin e procedurave për shpronësimin për interes publik”, pohoi Kule. Sipas tij, kjo leje bie në kundërshtim me një nga vendimet e vetë kryebashkiakut Rama, i cili ka dhënë urdhër për prishjen e objekteve, në oborrin e fakultetit. Ai shtoi gjithashtu se Bashkia e Tiranës duhet ta anulojë atë leje. “Le të gjendet kudo një destinacion tjetër për kryerjen e veprimtarisë për të cilën po ngrihet godina në ambiente që i  ka kompetencë Bashkia e Tiranës. Zonat universitare, sipas ligjit të urbanistikës, administrohet, komandohet dhe jepet leje nga KRRTRSH-ja e Republikës”, është shprehur rektori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›