E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat e mesme, konviktet i kalojnë bashkive

• Administrimi i konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar, do të kalojë nga vartësia prej Ministrisë së Arsimit tek pushteti vendor.

Skema e re sipas MASH, që ka bërë edhe propozimin përkatës, i shërben decentralizmit të shërbimeve arsimore drejt njësive vendore. Ndërkaq do të sjellë menaxhimin më të mirë të konvikteve, rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit. “Me anë të këtij vendimi synohet përmirësimi i sistemit të administrimit për institucionet publike të arsimit parauniversitar”, thekson MASH. Njësitë vendore, pas kalimit do të jenë përgjegjëse për caktimin e numrit të punonjësve dhe rregullat e marrjes në punë. Gjithashtu do të vendosin edhe për skemën e administrimit të konvikteve, për tu siguruar nxënësve kushtet e jetesës. “Do të bëhet kalimi me transferim kapital falas të pasurive shtetërore të luajtshme, ku përfshihen pajisjet e kuzhinave, mensave, mallrat ushqimore në shërbim të konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar, në adresë të njësive të qeverisjes vendore”, përcakton vendimi. Gjithashtu do të realizohet edhe transferimi i godinave të konvikteve në pronësi të njësive të qeverisjes vendore në zbatim të ligjit “Për pronat e paluajtshme të shtetit”. “Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore të punonjësve do të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit si transfertë e kushtëzuar në njësite e pushtetit  vendor. Punonjësit e konvikteve dhe të mensave do të vijojnë të paguhen nga buxheti i MASH, deri në hyrjen në fuqi të vendimi. Efektet financiare të tij janë 100 milionë lekë”, thuhet në vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›