E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një miliard euro për tenderin e OSSH

• Kompanitë që do të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e OSSH-së, duhet të kenë një vlerë prej 1 miliard eurosh.

Fabiola Çela

 Këshilli i Ministrave ka miratuar dje kriteret për përzgjedhjen e investitorëve që do të marrin pjesë në tenderin për shitjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria, investitorët që duan të blejnë OSSH-në duhet të kenë një eksperiencë të mirë në tregun e energjisë. Kompanitë që duan të marrin pjesë në tender, duhet të kenë një biografi të pastër. Ky është një nga kushtet e vendosura nga qeveria, ku theksohet se investitorët duhet të mos jenë në proces falimentimi apo likuidimi. Së shpejti pritet të zhvillohet tenderi për përzgjedhjen e investitorëve strategjikë, që janë të interesuar të blejnë aksionet e OSSH-së. Tenderi do të jetë ndërkombëtar dhe me një fazë parakualifikimi për kompanitë. Procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është parashikuar të përfundojë brenda këtij viti.
Kushtet
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin “Për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë të interesuar për blerjen e aksioneve të OSSH-së”. Sipas kushteve të vëna nga qeveria, kompanitë që duan të marrin pjesë në tender, duhet të kenë një eksperiencë jo më pak se 3 vjet në menaxhimin dhe operimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga 110 kV deri në 0.4 kV dhe jo më pak se 20 mijë km. Gjithashtu ato duhet të kenë eksperiencë jo më pak se dy vjet në një treg energjie të liberalizuar. Një tjetër kriter që duhet të plotësojnë investitorët që duan të marrin pjesë në tender, është edhe vlera financiare e kompanisë së tyre. Sipas kritereve të miratuara nga qeveria, këta investitorë për tre vitet e fundit duhet të kenë pasur një vlerë neto jo më pak se 1 miliard euro. Gjithashtu investitorët përpara se të marrin pjesë në tender duhet të garantojnë se nuk janë në proces falimentimi apo likuidimi dhe se nuk ndiqet për mashtrime, korrupsion apo për pastrim parash. Ndërkohë të gjitha kërkesat për përzgjedhjen e kandidatëve duhet të vërtetohen nëpërmjet certifikatave zyrtare të lëshuara nga autoritetet përkatëse. Përveç këtyre kritereve, projektvendimi i qeverisë parashikon gjithashtu që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili do të vlerësojë edhe ofertat paraprake të paraqitura për kualifikim, do të krijohet me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ndërkohë në projektvendim thuhet se ministri i Energjetikës të ndërpresë procesin e shitjes së këtij operatori. Ky projektvendim është përgatitur në bashkëpunim me konsulentin ndërkombëtar, IFC-në.  

Kriteret qe duhen te plotesohen

Sasia e energjisë së furnizuar përdoruesve fundorë - sasia e energjisë elektrike e shitur duhet të jetë jo më pak se 10.000 GWh.

Numri i përdoruesve që u ofrohet shërbimi nga një operator shpërndarjeje, duhet të jetë jo më pak se 500 mijë.

Të kenë eksperiencë jo më pak se 3 vjet në menaxhimin dhe operimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga 110 kV deri në 0.4 kV dhe jo më pak se 20 mijë km rrjet shpërndarjeje.

Të ketë eksperiencë jo më pak se 2 vjet në rastin e një bashkimi të përkohshëm shoqërish, ndërsa anëtari udhëheqës duhet të ketë të paktën jo më pak se 2 vjet përvojë në një treg energjie elektrike të liberalizuar, kur jo më pak se 30 për qind e këtij tregu është deklaruar ligjërisht e hapur.

Kandidatët apo në rastin kur kandidati është bashkim i përkohshëm shoqërish, të paktën anëtari udhëheqës duhet të ketë pasur një vlerë neto (vlera totale e aseteve aktive), minus vlerën totale të detyrimeve (pasive) jo më pak se 1 miliard euro në fund të vitit. Dhe kjo vlerë duhet të jetë për tre vitet e fundit financiare.

Kandidati duhet të zotërojë një shkallë besueshmërie për kreditim.

Kandidati duhet të garantojë se nuk i është nënshtruar procedurave të falimentimit apo likuidimit, se është i regjistruar si subjekt ligjor dhe nuk është akuzuar për mashtrim apo pastrim parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›