E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndeti mendor, qendër trajtimi për fëmijët

• Në vendin tonë mungojnë pavijone të specializuara në spitale për trajtimin e problemeve mendore që në fëmijërinë e hershme.Shpesh mjekët kanë ngritur alarmin se pikërisht neglizhenca e tyre gjatë fëmijërisë mund të sjellë pasoja të parikuperueshme. Por nga Ministria e Shëndetësisë vjen një lajm i mirë. Çdo prind që ka një fëmijë me probleme mund të drejtohet në Qendrën Kombëtare të Mirërritjes, Rehabilitimit dhe Zhvillimit në Tiranë. Nga sa bën me dije ministria, kjo qendër merret posaçërisht me trajtimin e  fëmijëve 0-6 vjeç dhe është ngritur si një qendër prevenuese, diagnostikuese dhe trajtuese, për të gjitha problematikat e fëmijërisë së hershme. Shërbimi në këtë qendër ofrohet nga një ekip multidisiplinar, i cili nëpërmjet punës së tij të kualifikuar, përpiqet maksimalisht t'u sjellë fëmijëve me probleme zhvillimi dhe familjeve të tyre vlerësimin maksimal", sqaron ministria. Misioni i qendrës është të përmirësojë cilësinë e jetës së fëmijëve me nevoja të veçanta dhe të mbështesë familjet e tyre në procesin e mirërritjes, kujdesit dhe edukimit të fëmijëve. Procesi diagnostikues dhe trajtues mundësohet edhe nga shërbimi me shtretër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›