E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhëndëri u premtonte vajzave martesë, i detyronte të prostituonin

Greqi

Një organizatë kriminale e trafikut dhe shfrytëzimit të qenieve njerëzore është shkatërruar nga policia e greke. Operacioni ka ardhur pas një hetimi disamujor për aktivitetin e paligjshëm të organizatës greko-shqiptare, që operonte në Athinë. Ka qenë një informacion i marrë nga klientët ai që e vuri në lëvizje policinë e shtetit fqinj, e cila ka mundur të vërë në pranga shtatë persona, 3 shqiptarë e 4 grekë, dhe të shpallë kërkimin edhe për 9 të tjerë. Truri i organizatës kriminale mendohet të jetë 47-vjeçari Dimitrios Kapetanakis, një njohje e vjetër e Sigurimit të Atikës. Ai është prangosur teksa udhëtonte në makinën e blinduar bashkë me tre persona të tjerë, një shtetas shqiptar, 31 vjeç dhe dy vajza po nga Shqipëria, të moshave 20 dhe 23 vjeçe. Të katër këta persona janë akuzuar për krijim të organizatës kriminale, trafikim të qenieve njerëzore, pastrim të parave dhe aktivitet kriminal. Gjithashtu, janë në kërkim nëntë anëtarë të tjerë të kësaj organizate kriminale. Mediat e kryeqytetit grek shkruajnë se shqiptari, personazhi pikant i kësaj organizate kriminale, i sillte me martesë vajzat nga vendi i tij dhe më pas i detyronte ato të prostituonin. Sipas deklaratave të policisë në mediat greke, banda kriminale zotëronte vajza të cilat ishin në gjendje të rëndë ekonomike dhe i përdorte ato për shërbime erotike në hotele, por edhe në banesat e klientëve. Vajzat ishin gjithmonë të shoqëruara të paktën nga dy persona, ndaj dhe nuk kishte rrezik se klienti mund t’ua mbante paratë. Takimet realizoheshin me anë të telefonit. Numrat gjendeshin në shumë gazeta të Athinës. Vajzat paguheshin nga transportuesi, ndërsa paratë e tjera shkonin te llogaritari i “biznesit”. Vajzat e shfrytëzuara deklaruan se shqiptari ishte njohur me to, i kishte tërhequr nga Shqipëria me premtimet për martesë. 31-vjeçari kryente martesë fiktive me vajzat, të cilat i merrte në Greqi për një jetë më të mirë dhe më pas i dorëzonte te drejtuesit e grupit për ushtrim prostitucioni. Një nga katër grekët e arrestuar, shkruajnë mediat greke, është pjesë e një bande tjetër të quajtur “vrasësit me kontratë”. Pas një hetimi të Departamentit të Antitrafikut njerëzor, u arrit në përfundimin se të arrestuarit dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin krijuar një formë moderne të funksionimit të organizatës së strukturuar kriminale, udhëhequr nga 47-vjeçari Kapetanakis.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›