Miratohet me ndryshime buxheti
Pas debateve të ashpra dhe pas mbledhjeve të dështuara, është arritur më në fund miratimi i buxhetit të vitit 2010 në Bashkinë e Lushnjës. Edhe pse mbledhja e mëparshme e këshillit bashkiak e rrëzoi projektbuxhetin e propozuar nga kryetari i bashkisë, Albert Sanxhaku, dhe administrata e tij, konfirmohet se në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë, është arritur miratimi i buxhetit. Ky i fundit ka marrë shumicën e votave të këshilltarëve që i përkasin Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Madje, zvarritja e miratimit të buxhetit, është shënuar pikërisht nga pretendimet e mazhorancës PD dhe LSI. Kjo shumicë nëpërmjet përfaqësuesve të saj ka propozuar ndryshime në buxhet. Në mbledhjet e mëparshme, përmirësimet e kërkuara prej këshilltarëve të djathtë nuk u mirëpritën nga kryetari i bashkisë, por ka qenë numri i kartonëve ai që ka pranuar jo vetëm ndryshimet e buxhetit, por ka arritur deri në miratimin e tij. Kreu i këshilltarëve të djathtë ka këmbëngulur se të ardhurat e parashikuara në projektbuxhetin e propozuar nga kryetari i bashkisë, Sanxhaku, binin ndesh me zërin e investimeve. Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, ka dalë në një konferencë për shtyp. “Me këtë buxhet të ri, të miratuar nga mazhoranca hibride PD-LSI nuk të jepet mundësia për të ndërhyrë në asnjë nga projektet”, tha ai.
#