Policia gjen adresën e 5-vjeçares, nga emri i shitëses së çokollatave
U largua nga e ëma, pa e ditur se do të përfundonte në polici. Një 5-vjeçare ka shpërthyer në lot, kur ka parë se nuk gjendej pranë së ëmës, apo gjyshit të saj. Kanë qenë patrullat e Komisariatit Nr.6 ato që e kanë marrë përdore vogëlushen për ta lënë në oborrin e policisë, deri në gjetjen e të afërmve të saj. Për arsye të moshës, uniformat blu kanë menduar se nuk do të mund të merrnin prej saj informacionin që do t’i çonte tek adresa e saktë, por janë gabuar. Duke e pyetur se si i quanin prindërit, vajza është përgjigjur saktë në emrat e tyre, dhe madje u ka thënë se banonin në Greqi, në Athinë, madje edhe lagjen atje. Vogëlushja u ka dhënë detaje të punës së të atit e madje ajo nuk ka nguruar të thotë se kishte ardhur para disa ditëve bashkë me të ëmën në Tiranë. Inspektorët kanë dashur të mësonin ndonjë gjë rreth vendit ku ndodhej shtëpia e vajzës, por ajo nuk ishte në gjendje t’ua thoshte këtë. Policisë nuk i ka mjaftuar ky informacion, dhe teksa mendonin se si do ta zgjidhnin këtë problem, njërit prej inspektorëve të zonës i ka shkuar mendja të bëjë një pyetje të natyrës fëmijërore. Ai ka kërkuar të dijë nga vogëlushja se ku i blinte çokollatat apo akulloret. Vajza edhe pse nuk e mbante mend vendin, ka përmendur emrin e shitëses ku ajo bashkë me gjyshin blinin ëmbëlsirat. Kaq ka mjaftuar dhe inspektori ka kërkuar nga kolegët të gjenin njësinë tregtare të zonjës, emrin e së cilës ka përmendur vajza. Pa kaluar as një orë, uniformat blu identifikuan pronaren dhe ka qenë kjo e fundit që i ka drejtuar dy policët e patrullës në shtëpinë e vogëlushes.
#