Tre në gjyq, vodhën kazinonë ku punonin
Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Korçës, e pagëzuar si “Task-Forca”, ka dërguar në gjykatë tre persona nën akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe të “pengimit për zbulimin e të vërtetës”. Ata janë Kostika Simaku dhe vëllezërit Endri e Leonard Bostanxhi. Nga hetimet ka rezultuar se në datën 29 nëntor 2009, rreth orës 21:00 është njoftuar për një vjedhje me armë nga persona të paidentifikuar, një sasi e konsiderueshme lekësh në një qendër lojërash fati. Për këtë ngjarja janë pyetur Kostika Simaku dhe Endri Bostanxhi, të cilët deklaruan se në orën e ngjarjes ka hyrë një person i maskuar dhe me armë në dorë i ka kërkuar Simakut me detyrë operator i kësaj salle të lojërave të fatit t’i jepte lekët e arkës. Sipas përllogaritjeve, personi i maskuar kishte marrë rreth 236 mijë lekë.
Pas dyshimeve të prokurorisë se kjo vjedhje mund të ishte inskenuar nga punonjësit e qendrës së lojërave të fatit, me vendim të prokurorisë janë vënë nën përgjim disa persona. Gjatë përgjimit ka rezultuar se një pjesë e lekëve që ndodheshin në arkën e lojërave të fatit ndodheshin në këtë qendër. Punonjësi i sigurisë, Endri Bostanxhi, ka bërë planet sesi do t’i merrnin këto lekë pa u vënë re nga kamerat e sigurisë. Endri Bostanxhi, sipas akuzës, ka marrë në telefon babain e vet dhe e ka pyetur nëse i kishte hedhur plehrat në kosh dhe pasi është siguruar për këtë fakt, së bashku me shtetasin Kostika Simaku, në mënyrë që të mos i vinin re kamerat e sigurisë, kanë marrë në telefon vëllain e Endri Bostanxhiut dhe kanë shkuar me automjetin e këtij të fundit te koshi që ndodhej në afërsi të qendrës së lojërave të fatit. Te koshi ka shkuar shtetasi Leonard Bostanxhi dhe dy të tjerët po e prisnin afër vendit. Në këto moment ka ndërhyrë policia, e cila ndiqte në distancë të gjitha veprimet e mësipërme dhe ka kryer kapjen në flagrancë të autorëve që po merrnin lekët që po ndodheshin në kosh. Njëri prej të ndaluarve kishte mundur të merrte një tufë prej 100 kartëmonedhash 500 lekëshe, të cilat i kishte futur në brez dhe pjesa tjetër prej 100 kartëmonedhash ndodheshin në kosh. Në cilësinë e provës materiale u mor edhe një xhup.
Nga hetimet e prokurorisë, e cila ka marrë në pyetje personat që ndodheshin brenda lojërave të fatit, ka rezultuar se në orën e pretenduar të ngjarjes ka ardhur një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armëve ka arritur të vjedhë një pjesë të lekëve në arkë, ndërsa pjesa tjetër është fshehur nga operatori Kostika Simaku, me qëllim përvetësimin e kësaj shume, duke bashkëpunuar me Endri Bostanxhiun. Nga hetimi ka rezultuar se mungonin 236 mijë lekë. “Nga sa më sipër rezulton e provuar se të pandehurit Kostika Simaku dhe Endri Bostanxhi kanë konsumuar elementët e veprës penale për të cilën akuzohen. Ndërkohë, njëri prej tyre, pikërisht Leonard Bostanxhi, akuzohet se ka penguar zbulimin e së vërtetës”, thanë burimet nga Prokuroria e Korçës.
Krahas këtyre personave, njësia Task-Forcë në Korçë ka dërguar për gjykim edhe shtetasin Petrit Sejdia, i cili akuzohet për “mosdeklarim në kufi të të ardhurave”. Në datën 15 janar të këtij viti, ky person është arrestuar në Doganën e Kapshticës, pasi iu gjetën 31800 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar. Ai tha se me këto para do të shkonte në Greqi, ku dhe do të blinte një automjet, por nuk i kishte thënë doganierit dhe policisë, pasi nuk kishte dijeni nëse duhej të deklaroheshin.