E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është koha për oponencën kolektive në statut

Doracaj Nënsekretari për Shanset e Barabarta

Nënsekretari për Shanset e Barabarta në PS, Bledar Doracaj, deklaroi dje se “kriza e thellë politike dhe ajo ekonomike në të cilën e ka futur vendin mazhoranca në pushtet, po ua bën jetën shqiptarëve dhe shqiptareve edhe më të vështirë”. Referuar situatës brenda Partisë Socialiste, ai theksoi se ndryshimet statutore që do t’i paraqiten Kongresit të 18 prillit, do t’i japin një frymë të re dhe energji pozitive Partisë Socialiste për ta organizuar edhe më mirë politikisht. “Personalisht jam për respektimin e mendimit ndryshe në parti, por për aq kohë sa ky mendim nuk kthehet në regres. Nuk mendoj se jemi në kohën e duhur për implementimin e oponencës kolektive në statut. Të gjithë në Asamble janë të lirë të flasin, debatojnë, kritikojnë, sugjerojnë dhe propozojnë. Në momentin që Asambleja flet nëpërmjet votimit, atëherë vendimi i saj duhet të jetë detyrimisht i zbatuar për të gjithë anëtarët e tjerë në minorancë”, vlerësoi Doracaj. Ai sqaroi se disa nga ndryshimet më të rëndësishme në Statut, që do t’i paraqiten Kongresit, kanë të bëjnë me FRESSH dhe Forumin e Gruas Socialiste. “është shumë i rëndësishëm dimensionimi i rolit të këtyre dy forumeve elitë të PS”, tha Doracaj. Teksa komentoi dorëheqjen e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Asamble, ai tha se është një vendim i tij personal dhe si i tillë duhet respektuar. “Arsyet të cilat zoti Manjani i parashtroi si shkak i dorëheqjes, nuk qëndrojnë, përkundrazi, mënyra sesi është operuar me grupin e punës për ndryshimet në statut është mënyra dhe rruga e ndjekur nga PS gjatë gjithë ekzistencës së saj në këto 20 vjet”, theksoi ai. Doracaj mendon se Edi Rama është një lider i cili ka arritur të modernizojë Partinë Socialiste, në mënyrë të ndjeshme jo vetëm për anëtarët e PS, por edhe për të gjithë shqiptarët.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›