E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhëndri serb: Erdha në Shqipëri, se vajzat tona po shkojnë në Perëndim

Vidan Mitroviç, nga një qytet i vogël pranë Beogradit, sapo është fejuar me një vajzë shqiptare nga fshati Grudë i Shkodrës. Ai është entuziast dhe shpreson të krijojë një familje të shëndetshme, që përveç të tjerash do të rrezatojë vlera njerëzore edhe jashtë mureve të shtëpisë, në shoqërinë serbe dhe atë shqiptare.

Si ju lindi ideja për të gjetur nuse në Shqipëri?

Në Serbi, e sidomos në Beograd, ka shumë djem që kanë marrë nuse nga Shqipëria dhe kanë mbetur të kënaqur. Kështu u interesova dhe erdha në Shqipëri. Shpresoj të mbetem i kënaqur.

A është problem për ju që mes dy vendeve nuk ka pasur ndonjë miqësi të fortë, përkundrazi...?

Nuk më intereson e kaluara, as çështjet etnike, as fetare. Më intereson që të kem një njeri të mirë për të lidhur jetën me të. Ne nuk i shohim ndryshe shqiptarët, përkundrazi ne i pranojmë dhe respektojmë të qenit shqiptar. Po ju tregoj një detaj, që shoku im më i ngushtë në ushtri ka qenë shqiptar nga Kosova.

Çfarë u pëlqen djemve serbë te vajzat shqiptare?

Ka një problem, se vajzat serbe janë duke emigruar në Perëndim dhe djemtë serbë hedhin sytë nga vajzat shqiptare, pasi në Beograd kanë namin për vajza të thjeshta, të ndershme dhe punëtore. Gjithçka që i duhet një familjeje të rregullt.

Çfarë gjuhe do të flasin nesër fëmijët tuaj?

Fëmijët e mi do të flasin gjuhën e nënës dhe të babait, pa asnjë dyshim. Nesër, fëmijët e mi do të jenë po aq serbë sa dhe shqiptarë dhe do të prezantojnë në botë miqësinë dhe vëllazërinë që po lind mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›