E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysma e kërkesave, nga djemtë e lagjes së famshme "Zemun"

Presidenti i kompanisë serbe "Novi Varosh", Vuk Zeçeviç, është më shumë se i kënaqur nga biznesi i tij me Shqipërinë. Kërkesat janë shumë më të larta nga sa e kishte parashikuar, ndërkohë që praktika po tregon se mes shqiptarëve dhe serbëve nuk ekzistojnë paragjykime.

"Në Serbi, shqiptarët e Shqipërisë respektohen shumë. Kemi shumë kërkesa nga djemtë serbë që duan nuse shqiptare. Janë mbi tetëmijë djem që duan të marrin nuse në Shqipëri. Kjo është një gjë tepër pozitive që flet se mes nesh nuk ka urrejtje, por dashuri", thotë Zeçeviç.

Ndërsa presidenti kompanisë shqiptare, që mundëson gjetjen e nuseve, Gëzim Gjoka, thotë për gazetën "Shqip" se "kërkesat janë të shumta që të çojmë nuse në Serbi. Vetëm nga lagjja "Zemun" në Beograd, që është një lagje elite dhe me tepër emër në gjithë Ballkanin, janë rreth katërmijë djem të regjistruar, në radhë për të gjetur nuse në Shqipëri".

Sipas tij, vajzat shqiptare pëlqehen shumë në Serbi, pasi janë të rregullta dhe familjare. "Nga 86 martesa që kemi bërë ne si kompani, asnjëra nuk ka pasur probleme. Të gjitha martesat vazhdojë normalisht dhe çiftet janë shumë të kënaqura nga lidhja që kanë krijuar", thotë Gjoka.

Martesat që po bëhen mes serbëve dhe shqiptareve komentohen dhe janë pritur mjaft mirë dhe nga pushtetarë serbë. Këshilltari i ministrit të Diasporës, Simon Gjureviç, në një prononcim dhënë për gazetën "Shqip", thotë se "lidhjet tona me Shqipërinë janë të hershme dhe dëshirojmë që ato të forcohen më tej. Në qendër të Beogradit ne kemi një rrugë me emrin ‘Skaderlija‘ (Shkodra) dhe një pallat me emrin "Albania". Këto tregojnë se ne i kemi parë dhe pranuar shqiptarët si miq. Kohët e fundit vihet re se djemtë serbë po martohen me vajza shqiptare dhe ne e përshëndesim dhe urojmë që kjo të vazhdojë, pasi forcon dhe vazhdon miqësinë mes dy vendeve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›