E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, "reforma" lë pa punë 107 mësues

Reforma arsimore në Rrethin e Gramshit është zhvilluar radikalisht si dikur kolektivizimi komunist në këtë rreth. Rreth 107 mësues e edukatorë në tërë rrethin, dy javë më parë kanë shkëputur marrëdhëniet financiare me degën e Zyrës Arsimore në Gramsh dhe nuk kanë përfituar as asistencë, ndërsa zyrtarisht pranohen vetëm 85 shkurtime. Vendimi është mbështetur vetëm në një udhëzim të dhënë nga ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo, në vitin 2006, por në emër të "reformës" janë hequr afro 9 për qind e të gjithë armatës së mësuesve të këtij rrethi malor. Sipas kreut të arsimit të këtij rrethi, Kajo Braho, është marrë si kriter ulja e numrit të nxënësve në shkollat e fshatit, mësuesit me arsim të mesëm pedagogjik dhe ata jashtë profilit në mësimdhënie. Në fakt, vetëm ky kriter ka qenë në udhëzimin e ish-ministrit Pollo, (për ata mësues me pedagogjike që kanë mbaruar pas vitit 1989, të cilëve nuk u njihet diploma e Normales), ndërsa dy kategoritë e tjera, Braho i ka shpjeguar si kritere të reformës. Kjo e fundit ka nxjerrë të papunë dhjetëra mësues me përvojë dhjetëra vjeçare e me tituj, por dhe të tillë si Aqif Arapi, i dekoruar me urdhrin "Naim Frashëri" dhe bashkinspektues me shefin aktual të arsimit të një prej abetareve të strukturës arsimore të ciklit të ulët, ish-kryebashkiakun Tajar Bici, i diplomuar për gjuhë-letërsi, ish-shefin e arsimit për këtë rreth, Enver Qosja, po i diplomuar për gjuhë-letërsi e të tjerë kuadro me arsim të lartë. "Këto shkurtime kanë prekur në përgjithësi mësuesit me arsim të mesëm, si dhe edukatoret dhe janë bërë si rezultat i uljes së numrit të nxënësve në shkollat e fshatrave", ka sqaruar kreu i arsimit të Gramshit, Kajo Braho. Ndërsa kreu i sindikatave, Sadik Bajrami, e shpjegon si reformë të pambështetur me ligje dhe vendime, disi edhe me doza politike. Sipas statistikave, nëse katër vjet më parë në Rrethin e Gramshit uleshin në bankat e shkollës 8100 nxënës të të gjitha kategorive, sot ky numër është reduktuar në 5300, si rezultat i hemorragjisë demografike. Sipas kreut të arsimit, numri i nxënësve të shkollave të fshatit është i papranueshëm për të lënë hapur shumë shkolla dhe mesatarja si rreth mbetet në 17,6 nxënës për çdo klasë. Nga ana tjetër, në qytet, fakt i panjohur për zyrën arsimore mbetet se numri i klasave në jo pak raste i kalon 42 nxënës, ç‘ka i jep të drejtën zyrës arsimore për çeljen e klasave të reja. Sidoqoftë, kjo mbetet "reforma" arsimore në këtë rreth dhe për çudi shefi i arsimit, Kajo Braho, me të firmosur largimin nga puna të 107 mësuesve ka dhënë edhe vetë dorëheqjen, të cilën e ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›