E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk komentohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 19:53

Vendimi Gjykatës Kushtetuese e ka gjetur presidentin Behgjet Pacolli jashtë vendit, por ky është kthyer në mbrëmje rreth orës 19.30 në Aeroportin e Prishtinës. Kreu i vendit ka zgjedhur një dalje anësore të aeroporti për të ikur nga mediat, të cilat pritnin të merrnin një deklaratë mbi vendimin e kushtetueses.

Derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit Behgjet Pacolli është bërë në mënyrë jo kushtetuese dhe në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike, ende nuk është bërë asnjë koment nga institucionet dhe subjektet politike të Kosovës lidhur me këtë vendim.

Zyrtarët e Presidencës, përkatësisht këshilltarët e presidentit Pacolli, Ibrahim Gashi dhe Arbër Geci përkundër shumë përpjekjeve të Kosovapressit nuk kanë hapur telefonin për të dhënë një përgjigje lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Një vlerësim mbi vendimin e kushtetueses nuk kanë dhënë as zyrtarët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më 2 mars të këtij viti e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese lëndën në emër të 34 deputetëve të cilët e kanë nënshkruan kërkesën me të cilën kontestohet procedura përmes së cilës ishte zgjedhur presidenti Pacolli.

Kosovapress e ka provuar të marrë ne telefon Sabri Hamitin, Ismet Beqirin, por ka qenë i pamundur kontakti me ta, kurse Arben Gashi ka thënë se nuk mund të jap ndonjë qëndrim mbi çështjen.

Edhe zyrtarët e AAK-së të cilët ndihmuan për të dërguar në Gjykatë çështjen e zgjedhjes së presidentit nuk kanë pranuar të flasin, ndërsa qëndrim nuk kanë dhënë as zyrtarët e Vetëvendosjes.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka dhënë ndonjë vlerësim as PDK-ja e cila në koalicion me partinë e Behgjet Pacollit mori edhe një mandat qeverisës të vendit.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se e ka vlerësuar si të pranueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Kushtetuesja vlerëson se vendimi për zgjedhjen e presidentit është jo kushtetues pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›