E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Kanun në Gjermani

Teatri ODA është ftuar që të marrë pjesë në Festivalin “Off Europa”, i cili do të mbahet prej 17 deri më 24 shtator në Lajpcig dhe Dresden, në Gjermani, me shfaqjen “Kanuni”. Nga Alfred Beka më 06 korrik 2011 në ora 12:18

Festivali ‘Off Europa’ është i themeluar në vitin 1992 në Lajpcig me emrin MANOVER dhe iu kushtohet kryesisht kombeve ose shteteve të caktuara. Gjatë viteve të shkuara ka vënë në pah situatën e teatrit bashkëkohor të Rumanisë, shteteve të Baltikut, Gjeorgjisë dhe të disa shteteve të dala nga ish Jugosllavia.

Edicioni i njëzetë i këtij festivali do t’i shndërrojë Shqipërinë dhe Kosovën në objekt të studimit intensiv e që shpesh në Evropën Qendrore ka reflektim joadekuat. Gjatë këtyre datave do të shfaqen punë të teatrove nga të dy shtetet në dy qytetet e mëdha të Saksonisë, pra, në Lajpcig dhe Dresden. Programi kryesor do të pasurohet edhe me shfaqje filmash dhe koncertesh përcjellë me ligjërata dhe diskutime.

Në konceptin e festivalit thuhet se ‘Off Europa’ nuk ka qenë kurrë e interesuar që të sjellë punime të realizuara nga shteti apo menaxherë, të cilët prodhojnë shfaqje për ‘eksport’, por është e fokusuar në punën specifike që bëjnë artistë vendorë, të cilat paraqesin situatën e përditshme dhe normale në ato vende.

“Vëmendje dhe normalitet. Për këtë arsye jemi aq entuziast për shtetet si Shqipëria dhe Kosova dhe teatri bashkëkohor”, thuhet po aty.

Teatri ODA në këtë festival do të prezantohet me shfaqjen ‘Kanuni’, regjinë dhe koreografinë e së cilës e ka bërë Agnes Nokshiqi, ndërsa luajnë: Fitore Broçi, Fidan Mamusha, Leonora Mehmetaj, Vedat Haxhiislami, Shkëlzen Veseli.

‘Kanuni’ është shfaqje që i përket teatrit fizik dhe është i bazuar në nëntë pjesë të nxjerra si motiv nga ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›