E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë vrimës së ozonit, në 2080-n do të mbyllet

Një zbulim shumë me fat. Shkencëtarët janë shumë të vendosur të superojnë skepticizmat dhe krerët e shteteve që mblidhen për të shpëtuar planetin nga katastrofat. Historia e vrimës së ozonit, e vërejtur fillimisht 25 vjet më parë, tani duket një përrallë. Vrima në fakt është në rrugën e “shërimit”. është e vërtetë se do të na duhen ende edhe disa dhjetëvjeçarë, por katastrofa e anoncuar ka shumë mundësi të zgjidhet me një fund të lumtur. Protokolli i Montrealit, i adoptuar në vitin 1987 nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, në fakt ndaloi klorofluorokarburet (cac) përgjegjëse të shkatërrimit të gazit që na mbron nga rrezet ultravjollcë. Industrialistët, sipas Konventës së OKB-së, kanë ndaluar prodhimin e substancave vrasëse. Përballë këtij suksesi, shkencëtarët pyesin veten: Do të arrijnë të bëjnë të njëjtën gjë me ngrohjen globale? Gjithçka është sqaruar me detaje në revistën “Nature” nga Jonathan Shanklin, një nga tre shkencëtarët britanikë, që në pranverën e 25 viteve më parë gjendeshin në Antarktidë për të matur ozonin atmosferik. “Më kujtohet se si atëherë publiku priste me ankth një përgjigje nga qeveritë. Evidencat shkencore ishin të forta dhe të qarta. Vrima e ozonit shihej si një kërcënim real dhe i frikshëm. Për më tepër, ishte zbuluar se kishte një lidhje mes reduktimit të shtresës së ozonit dhe kancerit të lëkurës. Pastaj ekzistonin zëvendësues të CFC-ve të përdorur në frigoriferë dhe produkte të tjera”. Për industrialistët, protokolli i Montrealit ishte një problem lehtësisht i zgjidhshëm. “Në një kohë të shkurtër u gjetën zëvendësues të vlefshëm për CFC-të”, shpjegon Claudio Cassardo, që jep meteorologji, fizikën e klimës dhe atmosferës në Universitetin e Torinos. “Në fillim kostot ishin pak të larta, por nisën të shkonin drejt rënies me kalimin e kohës. Sigurisht që të gjesh një alternativë për naftën nuk do të jetë kurrë e thjeshtë”. Shanklin në pranverën e vitit 1985 gjendej në Polin e Jugut, në bazën e “Halley”-t, që administrohej nga “British Antarctic Survey”. Detyra e tij ishte të administronte në kompjuter të dhënat e mbledhura. Eksperienca e tij në çështjet e klimës ishte thuajse zero. Por, kur vuri re diçka të çuditshme në matje, nisi të flasë urgjentisht me kolegët e tij, Joseph Farman dhe Brian Gardinier. Së bashku, më 16 maj të vitit 1985, publikuan në revistën “Nature” një lajm të rëndësishëm: shtresa e ozonit po hollohej. Por reagimet ndaj këtij lajmi në fillim nuk ishin të mira. Thatcher, që në atë kohë ishte Kryeministre dhe i duhej të përballej me krizën ekonomike, vazhdonte të kritikonte kërkuesit e padobishëm në bazën “Halley”, duke i kërcënuar se do t’ua ndërpriste fondet nga një moment në tjetrin. “Kemi qenë me fat”, pranon sot Shanklin, që në artikullin e fundit në “Nature” tregon se kontaktoi menjëherë me kolegët amerikanë të Universitetit të Kalifornisë në Livermore për të kërkuar konfirmime. Por ata, me satelitët e tyre të sofistikuar, në fillim nuk kthyen përgjigje, pastaj thanë se nuk vinin re asnjë anomali. Rënia e përqendrimit të ozonit mbi qiellin e Antarktidës në një lartësi prej 15-30 kilometrash mund të shihej vetëm në fillimin e pranverës jugore, kur i ftohti, një prani relativisht e lartë e CFC e shkaktuar nga rrymat atmosferike të Polit të Jugut dhe rrezet ultravjollcë të ardhura nga dielli, shkaktojnë reaksionin kimik që shkatërron ozonin. “Sot është ende herët të flasim për shërim. Gazrat e dëmshëm qëndrojnë për shumë vite në atmosferë para se të zhduken. Për momentin shohim një reduktim të shpejtësisë së hollimit të shtresës së ozonit. Mendoj se do të duhen edhe 25 vite të tjera që shtresa të nisë të rritet sërish”, pranon Cassardo. Përmasat e vrimës së ozonit varen nga rrjedha e stinëve dhe luhatjet nga një vit në tjetrin janë të mëdha. Një dimër i ftohtë në vitin 2006 e ka çuar në një madhësi gjigande, ndërsa në 2007-n vrima, pothuajse e barabartë me sipërfaqen e SHBA-së, ishte zvogëluar për ta marrë sërish veten vitin tjetër. Alarmi do të zhduket përgjithnjë në vitin 2080, kur shtresa e ozonit do të kthehet në nivelet e vitit 1950, kur nisi të bjerë. “Por mësimi më i rëndësishëm në këto 25 vjet është se sa shpejt planeti di të modifikohet”, mbështet Shanklin.

Antonello Pasini
Problemi i ngrohjes globale është më kompleks

Vrima e ozonit është një problem i thjeshtë nëse krahasohet me ngrohjen globale. Për Antonello Pasini-n, drejtor i institutit të ndotjes së ambientit, të dyja këto çështje janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Suksesi i politikave anti-ozon për fat të keq nuk është i mjaftueshëm që të na ofrojë një zgjidhje edhe për klimën që ndryshon.

Përse e mendoni kështu?

Në thelbin e ndryshimeve klimatike qëndron një qytetërim i bazuar në konsumin e substancave të dëmshme. Për të ulur sasinë e CO2 në hapësirë, do të thotë që sot të vihet në diskutim modeli i brendshëm i zhvillimit tonë.

Vrima e ozonit 25 vjet më parë e frikësoi shumë opinionin publik. Përse ngrohja globale shihet me skepticizëm?

Evidencat shkencore të ngrohjes globale janë të qarta. Por pasojat janë më pak të menjëhershme dhe evidente.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›