E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hëna dhe të pathënat e saj...

A e dini se?

Që nga Antikiteti, njeriu është përpjekur të gjejë një lidhje mes cikleve hënore dhe ritmeve natyrale: nga rritja e bimëve, te sjellja e njerëzve dhe kafshëve. Sot, bindjet e vjetra po analizohen nga shkenca

A ka lidhje mes ciklit hënor dhe menstrual?

Cikli menstrual, që zgjat mesatarisht 28 ditë, është shumë i ngjashëm me atë hënor 29,5 ditë. Ky cikël ishte mjaft i njohur në antikitet. Në fakt, filozofi grek, Aristoteli, theksonte se menstruacionet shfaqeshin me uljen e hënës, ndërsa “Maya”-t (dhe shumë kultura të tjera), me hënën e re. Në Oqeani ka komunitete që besojnë ende sot se vetë Hëna ka menstruacione gjatë hënës së re. Në fakt, nuk ka dëshmi shkencore që i konfirmojnë këto bindje. Ndërkaq, studimet e pakta tregojnë se kanë gjetur një lidhje mes ciklit hënor dhe menstrual, pavarësisht rezultateve kontradiktore.

A ndikon hëna në ritmet jetësore të qenieve njerëzore?

Po, dhe e bën përmes gravitetit të saj (që shkakton baticat) dhe dritës që lëshon. Baticat janë ngritje dhe ulje të nivelit të deteve që përsëriten çdo 12 orë e 25 minuta. Gaforret e llojit “Carcinus” ose “Uca”, që përkatësisht jetojnë në Mesdhe dhe tropik, ndjekin këtë cikël si për depozitimin e vezëve, ashtu edhe proceset e tjera. Ritme të ngjashme ndiqen edhe nga shumë moluskë dhe butakë që jetojnë në afërsi të brigjeve. Ndërsa koralet e llojit “Acropora” kanë një cikël mujor që lidhet me shkëlqimin e hënës: falë një gjeni specifik (Cry2), lëshimi i vezëve dhe spermës për riprodhim ndodh në korrespodencë me hënën e plotë. Për më tepër, hëna e plotë pengon gjahun (minjtë dhe lepujt), sepse i bën më të dukshëm, ndërkohë që privilegjon grabitqarët. Rezultatet janë nga më të ndryshmet: për shembull, luanët e detit të Galapagosit, në netët e ndriçuara nga hëna notojnë më pak, por zhyten më në thellësi për të ndjekur gjahun që përpiqet të fshihet.

A ndikon hëna në meteorologji?

është e vështirë ta thuash një gjë të tillë. Natyrisht që hëna ndikon mbi klimën, duke qenë se në zonat polare temperatura është më e lartë se 0,55ºC kur hëna është e plotë, siç tregojnë edhe vëzhgimet diellore. Efektet e mundshme mbi motin janë më të vështira për t’u përcaktuar. Megjithatë, në disa raste duket se ka një ndikim të vogël.

Një savanë përreth hënës paralajmëron stuhi?

Këtë e thonë marinarët dhe është e vërtetë në disa rrethana, pra kur drita e shpërndarë nga kristalet e akullit lart në atmosferë, shkaktohet nga re stuhish që po vijnë.

Ujqërit ulërijnë më shumë kur hëna është e plotë?

Ritmet e kafshëve të natës natyrisht që varen nga fazat hënore, por nuk është e vërtetë që ujqërit ulërijnë më shumë gjatë netëve kur hëna është e plotë. Në fakt e bëjnë më shumë, pavarësisht se si është hëna, në të gdhirë dhe gjatë perëndimit të diellit, pra para dhe pas gjuetisë.

Mbushja e shisheve me verë duhet bërë kur hëna është e paplotë?

Këtë e theksojnë njerëzit që merren me këtë punë, por nuk ekziston asnjë provë shkencore që e vërteton këtë. Megjithatë, në çdo rast nuk duhet harruar se sot metodat për prodhimin e verës ndryshojnë shumë nga ato të vjetrat dhe nuk janë më të lidhura me periodicitetin hënor. Kështu, nëse kjo thënie e vjetër vlente në të kaluarën, sot nuk ka kuptim që të jetë.

A ndikon hëna në rritjen e bimëve? Po në vjeljen e tyre?

Sigurisht. Përmes dritës së saj, Hëna ndikon në ritmet jetësore të bimëve, por është e vështirë të thuash se në ç’mënyrë. Gjithsesi, që nga fillimi i historisë, fermerët kanë zhvilluar një sërë parimesh për ta bërë më efikase bujqësinë, duke i sinkronizuar aktivitetet e ndryshme me fazat hënore. Në këtë mënyrë kanë lindur edhe “kalendarët bujqësorë”, që lidhen me disa pika të veçanta: kur hëna është duke u mbushur, lehtëson rritjen e bimëve, ndërsa kur hëna është e paplotë, e pengon. Në fakt, asgjë nga ajo që u tha më lart nuk konfirmohet nga studimet shkencore, që të paktën deri tani nuk kanë hedhur dritë mbi këto bindje, pavarësisht faktit se njerëzit vazhdojnë të besojnë.

A mund të ndikojë hëna në sjelljet e njerëzve?

Në fakt, kjo gjë nuk mund të përjashtohet, madje shumë persona mendojnë se është kështu. Përgjegjësi kryesor i këtij ndikimi, nëse vërtet ekziston, është melatonina, hormoni që rregullon ciklin e gjumit dhe të zgjimit. Janë vëzhguar me kujdes variacione të ciklit të melatoninës në lidhje me fazat hënore, por janë variacione të vogla dhe nuk është e qartë nëse shkaktohen nga ndriçimi hënor, apo nga një “orë” biologjike që ka evoluar me racën njerëzore dhe se do të vazhdojë të funksionojë edhe pa hënën.

çfarë është efekti “Transilvani” dhe a ekziston vërtet?

është një nga bindjet më të përhapura mbi hënën: fakti që hëna e plotë favorizon rritjen e agresivitetit mes njerëzve dhe realizimin e një numri të madh aksidentesh e katastrofash. Fenomeni e ka marrë emrin nga fakti se, në kinema dhe letërsi, konti Drakula në Transilvani ishte më aktiv gjatë netëve kur hëna ishte e plotë. Në të vërtetë, në të kaluarën shumë njerëz mendonin se Hëna mund të ndikonte mbi gjendjen psikike të tyre, aq sa në shekullin XIX në Angli prania e hënës së plotë gjatë një vrasjeje konsiderohej si lehtësi në proceset gjyqësore. Studimet shkencore lidhur me këtë fakt nuk e kanë konfirmuar ekzistencën e këtij fenomeni. Ndoshta sepse, siç theksonte një psikolog amerikan, efekti Transilvani ekzistonte vetëm në të kaluarën, kur nuk kishte ndriçim artificial dhe hëna ishte burimi i vetëm i natës. Prania e saj mund të favorizonte pagjumësinë, që është një faktor rreziku për kriza agresiviteti dhe epilepsie. Por sot, me shkëlqimin artificial, kjo lidhje nuk ekziston më, dhe në fakt as studimet nuk e konfirmojnë këtë gjë.

Me hënën e plotë rritet edhe numri i lindjeve?

Edhe në këtë rast ka pasur shumë studime, rezultatet e të cilave kanë qenë kontradiktore. Megjithatë, studimi më i kompletuar është realizuar në vitin 2004, në Karolinën e Veriut, te 550 lindje nga viti 1997 deri në 2001-shin dhe nuk u gjet ndonjë lidhje mes fazave hënore dhe lindjeve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›