Grushta dhe dhunë në familje, gratë kërkojnë mbrojtje
Policia e Korçës regjistron 2 raste të dhunimit brenda familjes, ndërsa njofton se në 3 muaj janë 38 gra që kanë kërkuar mbrojtje
Korçë- Vetëm në 24 orët e fundit në qarkun e Korçës gjykata ka nxjerrë dy urdhra mbrojtjeje për dy gra të rrahura nga bashkëshortët. Rasti i parë i përket një 43-vjeçareje nga fshati Gurishtë në rrethin e Korçës dhe tjetri për një grua 51 vjeçe, banore e qytetit të Pogradecit. Vetëm gjatë 3 muajve të fundit 38 gra kërkuan mbrojtje të policisë. Ekspertët thonë se nga një anë kjo është diçka e mirë, pasi dhuna deri më tani ishte e padenoncuar, ndërkohë nga ana tjetër kjo tregon një situatë të rënduar të gruas në familje.
Rastet
43-vjeçarja me inicialet Sh.M. nga fshati Gurishtë, vetëm 15 kilometra larg Korçës, ka shkuar e dhunuar në policinë lokale. Burime nga kjo e fundit thonë se gruaja kishte shenja të dukshme dhune në trup. Gruaja ka pasur një konflikt me babanë e dy fëmijëve të saj, i cili kishte lenë emigracionin ku jetonte prej disa kohësh për t’u kthyer përfundimisht në shtëpinë e tij. Shkak, sipas policisë, i kësaj dhune mendohet të jetë xhelozia. Sipas policisë, denoncimi i Sh.M. është marrë në konsideratë dhe ajo është tashmë nën mbrojtjen e forcave të rendit.
Ndërkaq një tjetër rast vjen nga qyteti i Pogradecit, ku 51-vjeçarja K.S. ka kërkuar urdhër mbrojtje po nga burri i saj, me të cilin jeton prej më shumë se 30 vjetësh. Gruaja banore e lagjes 3 në Pogradec, ka patur konflikte nga momenti kur burri i saj ka mbetur pa punë dhe nga kjo ka filluar të dehet dhe të ushtrojë dhunë mbi të dhe familjarë të tjerë. Në të dy rastet, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, janë gratë që dhunoheshin në mënyrë të përsëritur nga burrat e tyre të cilat kanë kërkuar ndihmë, duke paditur bashkëshortët. Sipas të njëjtave burime, mësohet se shkaqet e kësaj dhune të vazhdueshme janë të ndryshme, por sigurisht janë varfëria ekstreme e bashkëshortëve të papunë si dhe përdorimi i alkoolit, dhe në disa raste dhe i drogave.
Shifra
Urdhrat e mbrojtjes janë të shumtë, sipas policisë, ndërsa 38 të tillë janë lëshuar vetëm në tre muaj dhe tregojnë një situatë të rënduar të dhunës ndaj gruas. Bashkëshortët, kryesisht të papunë, ushtrojnë dhunë të vazhdueshme fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshorteve të tyre, por dhe ndaj fëmijëve. Në jo pak raste kjo dhunë ka degjeneruar deri në krime të rënda, në të cilat shteti duket krejt i pafuqishëm të veprojë, përderisa krimi është kryer. Por nga ana tjetër, kërkesat në rritje të grave që kërkojnë ndihmën e strukturave shtetërore për këtë dhunë të vazhdueshme ndaj tyre, është shenjë e mirë që mund edhe të parandalojë aktet ekstreme. Policia thotë se ka edhe raste që janë fëmijët ata që ushtrojnë dhunë jo vetëm ndaj nënave por dhe baballarëve të tyre. Në fakt, për rastet e sipërpërmendura janë nxjerrë urdhra mbrojtje të menjëhershëm, pas padive respektive dhe ndihmës që kanë kërkuar të dëmtuarit.