E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen grabitësit e taksistit

Nga Express më 04 mars 2011 në ora 11:45

Hetuesit e krimeve të rënda në Mitrovicë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë katër persona, të dyshuar për një rast të grabitjes, i cili kishte ndodhur më 27 shkurt.

Gjatë ditës së djeshme, hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës, kanë realizuar urdhër kontrollin e autorizuar nga prokuroria e qarkut, për bastisje të koordinuar të katër shtëpive në Koshtovë të Mitrovicës, lagjen “2Korriku” të Mitrovicës dhe fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Operacioni i bastisjes ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e katër personave si të dyshuar kryesorë për përfshirjen e tyre në një rast të grabitjes të raportuar të ketë ndodhur, më datë 27 shkurt 2011, në Stan Tërg.

Viktimë e rastit të raportuar të grabitjes ishte një taksist 67-vjeçar.

Besohej se katër personat e dyshuar, me 27 shkurt, rreth orës 14:30min, kishin kërkuar nga viktima e tyre që t’i dërgonte me taksi veturën e tij deri në fshatin Stan Tërg të Mitrovicës, ndërsa kishin rënë në dakord se i njëjti të kthehej për t’i marrë të njëjtit prapë, pasi ta thërrisnin në telefon.

Një gjë e tillë kishte ndodhur pas gjysmë ore dhe të dyshuarit kishin ftuar viktimën e tyre që të kthehej në lokacionin e caktuar për t’i marrë të njëjtit me pretekst t’i dërgonte atë deri në fshatin Pasomë të Vushtrrisë.

Me të arritur në fshatin Pasomë, të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht viktimën e tyre duke e goditur me duar thatë dhe më pas të njëjtin e kanë lidhur dhe e kanë vendosur në ulëset e prapme të automjetit të tij, ndërsa të dyshuarit kanë drejtuar automjetin deri në fshatin Rahovë të Mitrovicës.

Nga viktima e tyre, të dyshuarit me forcë kishin marrë para të gatshme në vlerë prej 1300 euro, kartelat bankare, dokumentet personale dhe çelësat e veturës dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes duke lënë viktimën e tyre të lidhur në veturë.

Po në të njëjtën ditë, të dyshuarit besohet se kishin shfrytëzuar edhe kartelën bankare të viktimës, duke arritur që të nxjerrin edhe 800 euro të tjera nga dy llogari bankare të viktimës.

Hetuesve rajonalë të sektorit për krime të rënda në Mitrovicë, i janë dashur një javë punë intensive për të arritur deri tek identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarve të këtij akti kriminal.

Hetuesit kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale përfshirë edhe video incizimet e të dyshuarve duke tërhequr paratë nga llogaria bankare e viktimës.

Të dyshuarit e arrestuar, N. Miftari (1985), A. Tahiri (1984), B. Bejta (1989) dhe K. Bejta (1991), në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa të njëjtit nuk kanë mohuar pjesëmarrjen e tyre në këtë vepër penale në bashkëveprim.

Ndaj të dyshuarve të arrestuar, me vendim të prokurorit publik, është caktuar masa e ndalimit në lokalet policore për mbajtje për zhvillim të procedurës së mëtejme hetimore.

Në bazë të hetimeve të zhvilluara dhe provave të siguruara në këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale në bashkëveprim “rastet e rënda të vjedhjes grabitqare dhe grabitjes” nga neni 256 i Kodit Penal të Kosovës, njofton nëpërmes një komunikate për shtyp Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›