Dhjetëra policë në tubimin e PS, Rama: Kamza, “Amerika e vogël”
Tiranë Partia Socialiste ka prezantuar dje në Kamëz kandidatin Rakip Suli, në praninë e dhjetëra policëve dhe nën masa të rrepta sigurie. Organizimi i këtij mitingu kishte nisur prej 24 orësh, ndërsa gjatë ngritjes së podiumit u shënua edhe një përleshje mes simpatizantëve të PD dhe PD. Tubimi elektoral i Partisë Socialiste ka angazhuar në thuajse 100 përqind kapacitetin policor të komisariatit nr.5 që mbulon zonën e Kamzës. Kjo për faktin se prej 2 javësh, në këtë zonë ka pasur përplasje militantësh që shpesh kanë degraduar në plagosje dhe dëmtime. Në mitingun e djeshëm, të parashikuar në 19:00, njerëzit nisën të grumbulloheshin rreth 90 minuta para kohe. Për 1 orë, podiumin e kanë zënë këngëtarët, për t’i lënë më pas radhën fjalimeve politike të kandidatit Rakip Suli dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, kandidati socialist për bashkinë e Kamzës, Rakip Suli e konsideroi 4-vjeçarin e kandidatit demokrat, Xhelal Mziu, si një periudhë abuzimesh dhe papërgjegjshmërie. “Është e turpshme që shtëpia që është ngjitur me vilën e Xhelal Mziut nuk ka ujë, ndërsa ajo e kryebashkiakut që qeverisi Kamzën për 4 vite ka ujë gjithnjë. Ky 4-vjeçar nuk duhet të ripërsëritet më, pasi Mziu ka parë vetëm klanin e ngushtë të njerëzve të tij, të cilët kanë qenë të vetmit që kanë përfituar në kurriz të mijëra të tjerëve”, -tha Suli, i cili nga ana tjetër ka premtuar hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndihmë sociale për njerëzit në nevojë. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shprehu mirënjohjen qytetarëve për mikpritjen, duke e cilësuar kandidatin Suli si të vetmen rrugë për Kamzën. “Kjo zonë e Shqipërisë është si ‘Amerika e ëndrrave dhe shpresave’. Kamza është Amerika e vogël e njerëzve që u çliruan nga prangat e komunizmit dhe erdhën nga ana e anës për një jetë më të mirë”, - tha Rama gjatë fjalës së tij. Ai shtoi se Kamza vazhdon të jetë e palegalizuar pas 20 vitesh dhe akuzoi kryeministrin Berisha se shkon në Kamëz duke premtuar gjithçka dhe pa përmbushur asgjë. “Si ka mundësi të shfrytëzohet kaq patupërsisht besimi dhe mbështetja e një populli të gjerë si ky, që i ka dhënë Partisë Demokratike gjithçka dhe ka marrë si këmbim premtime të papërmbushura, që nuk ka bërë asgjë pë Kamzën dhe paturpësisht ka shkruar në sloganin e vet ‘Kamza ime’”, - ka shtuar Rama. Ai shtoi se në Kamzë është e qartë se qyteti është rezultat i saksificave të njerëzve të vet dhe shteti nuk ka bërë asgjë. “Kush i ndërtoi shtëpitë tuaja?! I ndërtuat ju me mundin e sakrificat e panumërta të familjarëve tuaj në emigracion dhe atyre që marrin me mund cdo ditë rrugën për në Tiranë”, - theksoi Rama. Rivaliteti elektoral në Kamzë duket më i nxehtë se në bashkitë e tjera. Që prej fillimit të fushatës elektorale janë shënuar mjaft incidente, ku më i rëndi ishte ai i Bathores, ndërsa dje u plagos një punonjës i policisë bashkiake.