Tritol shtëpisë së drejtoreshës së Tatimeve në Pogradec
Bashkëshorti Vasfi Syza është drejtues i shtabit elektoral të PS-së dhe ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur për motive politike
Korçë Fushata elektorale merr përmasa të tjera në Pogradec. Një shpërthim tritoli në banesën e drejtuesit të shtabit elektoral të Partisë Socialiste. Policia vendore ka nisur hetimet, ndërsa janë disa pista ku po përqendrohet puna e grupit të posaçëm hetimor të ngritur për këtë ngjarje. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë liqenore mësohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë natës së kaluar, në katin e parë të një pallati në lagjen numër 1 në Pogradec, në banesën e shtetasit Vasfi Syza. Mësohet se në momentin e shpërthimit në banesë ndodhej vetëm bashkëshortja e tij, 48-vjeçarja Rajmonda Syza, aktualisht drejtoreshë e Tatim-Taksave në Pogradec. Fatmirësisht mësohet se nga shpërthimi i tritolit, i vendosur në derën e jashtme të banesës nuk ka patur të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ka patur dëmtime të dyerve, mureve të banesës dhe thyerje të xhamave, madje dhe të një furre buke në afërsi me vendin ku ka shpërthyer tritoli.
Deklaratat
Vasfi Syza është drejtues i shtabit elektoral të PS dhe në polici gjatë dëshmisë së tij është shprehur se shkak janë motivet politike, duke përmendur detyrën e tij në krye të shtabit të PS në Pogradec. “Kam qenë te lokalet, po shihja ndeshjen dhe më pas më merr bashkëshortja dhe më thotë që në shtëpi ka ndodhur gjëma. Erdha menjëherë dhe ventratat kanë qenë mbi divanë. Ne në fakt kemi pasur një problem të vogël me djalin, por një gjë e tillë është mbyllur miqësisht dhe kemi bërë pajtimin. Vonë jam futur në parti, por unë jam i bindur se është për arsye politike”, mësohet të ketë deklaruar Syza,
Ndërkaq për këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur banorët e Pogradecit ka reaguar menjëherë edhe kreu i Bashkise së Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili gjithashtu e ka cilësuar ngjarjen politike, duke akuzuar drejtpërdrejt për lidhje me ngjarjen Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Ky nuk është një rast i veçantë, por është vazhdim i veprimeve dëshpëruese të LSI-së. Gjatë ditës kjo parti vepron si parti e civilizuar, ndërsa natën bën akte terroriste. Policia e Shtetit duhet të marrë masa urgjente, në mënyrë që me mosveprimet e saj ajo inkurajon këta terroristë”, është shprehur Shkëmbi, i cili do të rikandidojë në zgjedhjet e 8 Majit.
Por menjëherë është kundërpërgjigjur dhe LSI. Nga ana e saj, kjo forcë politike nëpërmjet kandidatit për Bashki në këtë qytet, Luan Topçiu, mohojnë lidhjen me shpërthimin e sotëm, ndërsa kanë deklaruar se ngjarja po merr ngjyra politike për shkak të fushatës elektorale.
Policia
Policia e Pogradecit në njoftimin e saj zyrtar për shtyp bën të ditur se shpërthimi i një sasie të konsiderueshme tritoli nuk lidhet me punën dhe funksionet e dy bashkëshortëve Syza. Sipas policisë, pista kryesore e hetimit është një konflikt që ka patur djali i familjes në fjalë disa kohë më parë me disa persona në Pogradec. Gjithashtu, sipas policisë, djali i familjes Syza është i njohur prej saj për precedentët penalë që ai ka. Ngjarja e rëndë që ka tronditur jo pak banorët e qytetit buzë liqenit, ka vënë në punë intensive policinë, sipas të cilëve ngjarja nuk ka motive politike. Por nuk është i të njëjtit mendim kryetari i shtabit elektoral të PS, Vasfi Syzo, sipas të cilit kjo ngjarje nuk ka asnjë motiv tjetër përveç atij politik. Gjatë javës së kaluar qyteti i Pogradecit është përballur me një akt të shëmtuar, ku persona të panjohur kanë mbushur qytetin me parulla të rënda kundër kryetarit aktual të bashkisë, njëherësh kandidat i PS për zgjedhjet e 8 Majit.
Irena Vreto