E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetëra serbë kanë protestuar sot në Mitrovicë

Mitrovicë -Dhjetëra serbë kanë protestuar, mëngjesin e sotëm, para hyrjes kryesore të Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në veri të Mitrovicës, për shkak se, siç kanë thënë ata, deri më sot përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk kanë filluar realizimin e fazës së dytë të rifillimit të punës së gjykatës.

Njëri nga përfaqësuesit e punëtorëve serbë, gjykatësi Nikolla Kabashiç, ka deklaruar se ende nuk është filluar me fazën e dytë, e cila do të nënkuptonte fillimin e punës për gjykatësit dhe prokurorët serbë. "Faza e dytë është dashur të nisë më 3 dhjetor. Në këtë fazë është dashur të përfshihen gjykatësit dhe prokurorët serbë që jetojnë në veri, pra në katër komunat veriore, natyrisht duke respektuar disa kushte”.

Gjykata në veri është bërë mollë sherri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, situata është përkeqësuar në muajin mars, kur UNMIK-u dhe KFOR-i kishin intervenuar për të liruar gjykatën nga okupimi që i bënë ish-punëtorët serbë. Trazirat patën lënë të vdekur një polic ukrainas dhe shumë të lënduar në mesin e forcave ndërkombëtare.

Më 3 tetor, gjykatësit dhe prokurorët e UNMIK-ut kanë rifilluar punën në gjykatë, por jo edhe punonjësit serbë dhe shqiptarë. UNMIK-u thotë se aktualisht është në negociata për t’i transferuar përgjegjësitë te EULEX-i.

"Siç e dini, EULEX-i është bërë operacional më 9 dhjetor. Tani kemi rol tjetër nga ai që kemi pasur më parë dhe funksionet tona në fushën e sundimit të ligjit, i janë transferuar EULEX-it. Aktualisht kemi një propozim për të transferuar gjykatën e Mitrovicës te EULEX-i më 15 janar, por ende mbetet propozim. Ende ka negociata rreth çështjeve teknike, praktike. Nuk mund të japim datë të saktë", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Megjithatë, mungesa e një kornize të saktë legale, nën të cilën vepron EULEX-i, ka lënë vend për interpretime të ndryshme. Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, përveç gjyqtarëve të UNMIK-ut, janë vendosur edhe tre gjyqtarë dhe dy prokurorë të EULEX-it. Rel

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›