Dhjetëra të vrarë në Pakistan

Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi që SHBA publikuan një letër të Osama Bin Laden, të konfiskuar me rastin e sulmit të vitit të kaluar në vendstrehimin e tij, në të cilën ai i kritikon militantët pakistanezë për vrasjen e shumë civilëve.
Sipas policisë pakistaneze, sulmi vetëvrasës është kryer afër një tregu të mbushur me njerëz në qytetin Bajur. Në mesin e viktimave u tha se ndodhet dhe një zyrtar i lartë i policisë lokale. Si pasojë e sulmit, kanë mbetur të plagosur më shumë se 40 persona.
Zyrtarët shëndetësorë ndërkaq theksuan se që të dy këto shifra mund të jenë edhe më të mëdha.
Talebanët e lidhur me Al-Qaeda’n janë mjaft aktivë në këtë rajon. Rajoni Bajur është një prej rajoneve më të pakontrolluara fisnore. Kohë më parë, ushtria pakistaneze ka nisur një ofensivë të madhe atje.