Rritet presioni ndaj Ukrainës

Presidentët e Gjermanisë, Austrisë, Italisë, Kroacisë, Shqipërisë, Estonisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Çekisë, kanë paralajmëruar se nuk do t’i përgjigjen ftesës së presidentit ukrainas, Viktor Yanukovich, për pjesëmarrje në samitin që duhet të mbahet më 11 dhe 12 maj në Jaltë.
Pas raporteve për keqtrajtimin në burg të ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, pohon se nuk do ta vizitojë Ukrainën.
Tymoshenko po bënë grevë urie pas sulmit që iu bë nga gardianët e burgut, më 20 prill.
Bojkotimi i samitit joformal, në të cilin vitin e kaluar në Poloni morën pjesë 20 shefa të shteteve – përfshirë këtu edhe presidentin amerikan, Barack Obama – kërcënon të shndërrohet në një turpërim të Kievit, i cili synon të bëhet pjesë e BE’së.
Ky bojkotim do të mund t’i paraprijë një bojkotimi tjetër, edhe më të dhimbshëm, që ndërlidhet me pjesën ukrainase të kampionatit evropian në futboll, që mbahet në muajin qershor.
Rasti Tymoshenko në Poloni është shndërruar në temë kryesore, sepse opozita polake ka bërë thirrje për bojkotimin e të gjitha ndeshjeve futbollistike në Ukrainë, edhe pse kjo iniciativë kundërshtohet nga presidenti Bronislaw Komorowski dhe kryeministri Donald Tusk.
Tusk ka shfrytëzuar këtë rast për të paralajmëruar Ukrainën se, po qe se nuk gjen një zgjidhje humanitare për ish-kryeministren, po rrezikon një rënie dramatike të imazhit të saj në botë.
Kryeministri lituanez, presidentja e të cilit vend, Dalia Grybauskaite, ende s’ka vendosur nëse do të udhëtojë drejt samitit në Jaltë, e ka vlerësuar të enjten burgosjen e Tymoshenkos si një gabim të madh.
As ministria e jashtme e as zyra e presidentit Yanukovich deri më tani nuk i kanë komentuar paralajmërimet për bojkotim.
Ndaj lajmit se bojkotimi po shqyrtohet edhe nga kancelarja gjermane Merkel, zyrtarët ukrainas reaguan duke thënë se e gjithë kjo situatë i ngjanë kthimit të taktikave të luftës së ftohtë.
Ndryshe, vendimin për bojkotimin e samitit në Ukrainë e ka bërë të ditur edhe komisionerja evropiane për drejtësi, Viviane Reding.