Partitë e qendrës, pro Hollande

Në një lëvizje që përshkruhet si edhe një goditje më tepër ndaj presidentit Sarkozy, politikani i qendrës, Francois Bayrou, ka njoftuar publikisht se në raundin e dytë zgjedhor për president të Francës do ta mbështesë kandidatin socialist Francois Hollande.
Sipas politikanit Bayrou, Sarkozy “ka ndjekur rrugën drejt të djathtës ekstreme, gjë që bie ndesh me vlerat tona”.
Ndryshe, kjo është hera e parë që një parti e qendrës vendos të mbështesë kandidatin e partisë socialiste franceze.
Presidentit aktual të Francës i mbetet të shpresojë në mbështetjen e partisë ekstreme djathtiste, Fronti Nacional, megjithëse liderja e kësaj partie, Marine Le Pen, tashmë ka deklaruar publikisht se nuk do të mbështes asnjërin prej dy kandidatëve të mbetur në garë.