“Finalizimi 7” arreston në flagrancë shpërndarësin drogës
ELBASAN - Një 19-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme. Nga kontrolli i bërë i është sekuestruar një sasi të konsiderueshme heroine. Sipas burimeve policore, në kuadër të operacionit të koduar “Finalizimi 7”, shtetasi Ahmet Kushi, 19 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Elbasanit, është arrestuar se gjatë kontrollit personal të ushtruar iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës një pako e vogël transparente me një sasi prej 2 gramësh heroinë. Po kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjend dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një qese me peshë 234,4 gramë që përmbante Cannabis sativa dhe një pako heroinë prej 4 gramësh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikeve”.
Rrëmbehet, tentojnë ta mbysin në lumë me gjithë makinë
DURRËS – Nën kërcënimin e armëve, një person është marrë peng nga tre persona dhe më pas kanë tentuar ta mbysin në lumin Erzen bashkë me makinën e tij. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se personi i rrëmbyer është shtetasi H. C., 25 vjeç. Ky shtetas ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip “Audi”, pa targa, kur është ndaluar nga personat e armatosur. Sipas burimeve policore, shtetasit, Bajram Vrioni, 41 vjeç dhe Gentian Vrioni, 30 vjeç, që të dy banues në Katundi i Ri në Durrës, janë autorë të rrëmbimit të 25-vjeçarit, të cilin e kanë futur kanë futur në një bilardo, pronë të tyre, duke e mbajtur afro 10 minuta. Ata, në bashkëpunim me Selim Leben, kanë vazhduar më pas duke e futur me forcë dhe nën kërcënimin e armëve në automjetin tip “Benz” 270, pronë e Gentian Virionit, duke e çuar deri në derdhjen e lumit Erzen. Por, H. C. ka shpëtuar duke marrë vetëm goditje në trup. Ai ka bërë denoncimin në polici, gjë që solli arrestimin e dy autorëve të këtij krimi, ndërsa shtetasi Selim Leba është shpallur në kërkim. 29-vjeçari Leba ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Materialet në ngarkim të këtyre tre personave i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së kryer në bashkëpunim”, thonë burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit.
9 Dhjetor 2009