Studentja tenton vetëflijimin, hidhet nga kati i pestë i konviktit
DURRËS - Një studente ka tentuar t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku jetonte me qira. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së hënës, ku 21-vjeçarja ka vendosur te vetëflijohet pasi është hedhur nga dritarja e pallatit tetëkatësh. Studentja 21-vjeçare është nga qyteti Bulqizës dhe studion në Universitetin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Durrësit, ende nuk dihen arsyet që çuan të renë të vetëflijohet. Vajza është transportuar në gjendje të rëndë në Spitalin e Durrësit. Pak orë më vonë ajo është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi gjendja e saj po përkeqësohej. Policia po heton në dy pista: një tentativë vetëvrasje, por nuk përjashtohet pista edhe e ndonjë aksidenti apo vrasjeje, teksa vajza qëndronte në dritaren e dhomës së saj.
Ngjarja
Ka qenë nata e ditës së hënë ku studentja dyshohet se në gjendje të rëndë depresive ka vendosur t’i japë fund jetës duke u hedhur nga dritarja e godinës. Në momentin e ngjarjes në dhomë ndodheshin edhe të tri shoqet e tjera me të cilat jetonte. 21-vjeçarja është nga qyteza e Bulqizës, studente në vitin e tretë të degës Menaxhim-Turizëm në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, banonte me qira së bashku me tri shoqe në një apartament në Lagjen Nr. 1 të qytetit bregdetar. Sipas burimeve policore nuk dihen arsyet që e kanë çuar studenten t’i japë fund jetës. Vajza ka mundur t’i mbijetojë përplasjes me tokën dhe është dërguar në Spitalin e qytetit te Durresit. Pas mjekimeve të para të marra atje, 21-vjeçarja u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Tentativa për t’u vetëvrarë është bërë në rrethana misterioze. Menjëherë pas ngjarjes janë marrë në pyetje shoqet e saj me të cilat jetonte, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Policia po heton mbi shkaqet dhe rrethanat që çuan 21-vjeçaren drejt tentativës së vetëflijimit.
Rastet
Vetëvrasja është një fenomen mjaft i ndeshur. Në të shumtën e rasteve arsyeja ka qenë gjendja e rëndë depresive. Duke mos përballuar situatën viktimat i japin fund jetës në mënyra të ndryshme. Një ditë para atentatit të studentes nga Bulqiza për t’u vetëvrarë, ditën e diel një i 20-vjeçar nga Korça ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë një sasi të konsiderueshme helmi, bar miu. Dyshohet se arsyeja ka qenë gjendja e rëndë depresive. Ndërsa një 46-vjeçare, Lumturi Ramadani, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte. Nga dëshmitë e para policia mësoi se ajo jetonte e vetme pas divorcit nga i shoqi dhe emigrimit të vajzës së vetme drejt Greqisë. Depresioni dyshohet ta ketë çuar 46-vjeçaren drejt vetëvrasjes. Një rast tjetër është edhe Mentor Shkodra, i cili është vetëqëlluar me pistoletë në kokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Mësohet se viktima kishte disa muaj që vuante nga çrregullime të ekuilibrit mendor, ndërsa prej kohësh kishte mbetur pa punë.
9 Dhjetor 2009