E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja për fjalorin, vajza e Vedat Kokonës, padi në Gjykatë për të mbrojtur veprën e të atit



Laureta Rryçi

Debati publik i bërë kohët e fundit mes trashëgimtares së Vedat Kokonës dhe dy profesorëve, Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari, tanimë do të marrë një verdikt ligjor. Mirvjen Qendro, vajza e Kokonës, nuk është mjaftuar me akuza publike dhe denoncime për vjedhje të dhjetëra shprehive të të atit. Nëpërmjet një padie civile për mbrojtjen e pronës intelektuale, ajo i kërkon Gjykatës së Tiranës që të vendosë drejtësi në lidhje me këtë çështje. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se padia i është nënshtruar shortit elektronik dhe ka caktuar Altina Xhoxhajn si gjyqtare për ta gjykuar. Kjo e fundit ka vendosur datën 21 të këtij muaji si seancë përgatitore. Si procedurë në këtë seancë, palët kanë mundësinë e fundit për të gjetur një gjuhë të përbashkët në lidhje me konfliktin e krijuar mes tyre.
Padia
Mirvjen Qendro tashmë i kërkon në rrugë ligjore Gjykatës që të japë verdiktin e saj mbi pronën intelektuale të të atit, Vedat Kokona. Burime pranë Gjykatës pohuan se objekti i padisë ka të bëjë me kundërshtimin e bashkautorësisë të të paditurve Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari mbi veprën “Fjalor shprehjesh frëngjisht-shqip” të vitit 2008 (1000 shprehje më të përdorshme në frëngjishten e sotme) dhe njohjen e autorësisë mbi këtë vepër të autorit Vedat Kokona. Për rrjedhojë, shpërblimin e dëmit moral të ardhur nga mosnjohja e autorësisë. Shpërblimin e dëmit pasuror. Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur bllokimin e të gjitha kopjeve të veprës “Fjalor shprehjesh frëngjisht-shqip” me bashkautorë Nonda Varfin dhe Viktor Bakillarin, të vitit 2008 deri në përfundim të gjykimit të kësaj padie civile.
Reagimi
Me gjithë pretendimet e trashëgimtares së Kokonës, profesorët Varfi dhe Bakillari asnjëherë nuk i kanë pranuar ato. Ata e kanë cilësuar veprën e tyre si fryt i një pune të lodhshme të ardhur pas shumë vite përpjekjesh dhe pune që kanë në këtë fushë. Ata hedhin poshtë në mënyrë kategorike që kanë marrë punën e një tjetri. Me gjithë këtë qëndrim, të gjitha argumentet që kanë ata do t’i duhet t’i thonë para Gjykatës. Ndërsa trashëgimtarja e Kokonës është shprehur se Varfi dhe Bakillari sjellin shembuj që dëshmojnë se në fjalorthin e tyre, përbri shprehjeve frënge, figurojnë, përveç një ose dy shprehjeve marrë nga fjalorët e të atit, edhe shumë shprehje që nuk janë atje: p.sh., shprehjen “trouver à qui parler", në fjalorin e tij, V. Kokona e përkthen me "gjen ustai ustain”, “HAS SHARRA NË GOZHDË", kurse në fjalorthin e tyre ajo është përkthyer me "bie në usta, gjej ustain, më HAS SHARRA NË GOZHDË, më bie sëpata në gur, më ngec plori, më ngec veza kryq". Siç mund të shihet, ata bien kokë e këmbë brenda duke e pranuar përvetësimin e tyre të paturpshëm të përkthimit vedatian "has sharra në gozhdë", të cilit, në fjalorthin e tyre, i kanë vënë përpara vetëm fjalëzën "më"! “Njësoj si dikushi që, ndonëse kishte nëntë palë këpucë të vetat, vajti e i vodhi komshiut një palë të tjera duke u ndërruar vetëm lidhëset për të fshehur vjedhjen e tij”, - shpjegon Qendro.

Zyra që nuk kryen funksionin e saj

Megjithëse në Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve prej kohësh është themeluar Zyra për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit, duket se puna e saj është e padukshme dhe e pamjaftueshme për të garantuar të drejtat për të cilat tregu artistik, veprat dhe autorët kanë aq shumë nevojë. Pronësia intelektuale dhe shkelja e të drejtave ligjore të saj shpeshherë është vënë në debat. Ndërkaq, vjedhja sa vjen e bëhet më e theksuar, sidomos në kinematografi dhe muzikë. Për të mos folur për miliona eurot që humbasin artistët dhe krijuesit shqiptarë nga mospërfillja dhe injorimi i së drejtës intelektuale, e cila u përket si pronësi. Ekzistojnë me dhjetëra uebsajte në internet, në të cilat mund të shikosh dhe shkarkosh falas çdo prodhim shqiptar, muzikor apo kinematografik, që nga më të vjetrit, deri tek ato të rejat, ndërkohë që në anën tjetër kemi një shtet të dobët, të pafuqishëm e ndonjëherë dhe indiferent për t’u përballur dhe për t’i ndaluar piratët e internetit dhe këtë vjedhje që u bëhet njerëzve të artit dhe kulturës. Shpesh është folur se regjisorëve tanë, automatikisht do t’ju njihej e drejta e pronësisë intelektuale për të gjitha filmat e prodhuara me financime shtetërore në kohën e Kinostudios “Shqipëria e Re” si edhe sot, megjithatë, problemet duket se ende nuk kanë marrë një zgjidhje përfundimtare dhe artistët enden në pritje dyerve të gjykatave. Me të njëjtin fenomen përballen çdo ditë edhe shkrimtarët, studiuesit apo edhe shumë artisë të fushave të ndryshme të cilët ende nuk ndihen të sigurt për mbrojtjen e pronës intelektuale në vendin tonë.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›