Dhoma Amerikane feston 8-vjetorin
Dhoma Amerikane ka mbushur 8 vjet. Urimin e parë Presidenti i Dhomës Amerikane, Philip h. Bay ia ka dërguar anëtarëve, të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e Dhomës që nga dita e saj e parë, por dhe bizneseve të tjera që vazhdojnë të bashkohen rreth kësaj organizate. Duke folur për aktivitetet e "AmCham", presidenti Bay ka lajmëruar anëtarët se në vigjiljen e zgjedhjeve elektorale në Amerikë, "AmCham" do të organizojë një takim të madh në "Sheraton" dhe do të presë gjatë gjithë natës deri në agim rezultatet e zgjedhjeve si një nga evenimentet më të rëndësishme për Amerikën, por dhe amerikanët që jetojnë në Shqipëri. Axhendën e ngjeshur dhe tepër aktive të "AmCham" e ka përshëndetur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uidhers, i cili ka kujtuar faktin se një pjesë e mirë e ligjeve që sot janë në zbatim, janë ekstrakt i mendimit dhe vërejtjeve teknike të "AmCham".