Ministri Bode: Pagat referuese do aplikohen
Biznesi do të vazhdojë të paguajë pagat referuese për punonjësit e tij edhe në të ardhmen. Ky është kthyer në një problem goxha shqetësues për shumë biznese, por sipas kreut të Financave, administrata tatimore do të vijojë të zbatojë pagat referuese sa herë që biznesi të mos deklarojë saktë pagat reale të punonjësve për efekte sigurimesh. Gjatë një deklarate mbi raportin më të fundit të Bankës Botërore, kreu i Financave është shprehur se do të vazhdojë ulja e taksave. "Së shpejti do të miratojmë në Kuvend uljen e pjesës së kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguajë biznesi. Nga 30% që ka qenë në vitin 2005, u ul në 20% në fillimin e vitit 2007, për të zbritur në nivelin 15% në 1 janar 2009", është shprehur ministri Bode.