E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet hileja e superbuxhetit prej 5.2 miliardë dollarësh

 

Zbardhet "hileja" e superbuxhetit elektoral të 2009-ës. Për herë të parë ky buxhet do të arrijë vlerën e 5.2 miliardë dollarë, ose 1 miliard dollarë më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e parave të buxhetit do të arkëtohen nga të ardhurat e tatimeve dhe doganave. Ndërkohë, përveç të ardhurave, për herë të parë qeveria shqiptare ka planifikuar që të shesë letrat me vlerë në bursat ndërkombëtare. Pra, Shqipëria do të hyjë në tregun e eurobonove. Për këtë qeveria ka planifikuar që në muajt e parë të 2009-ës të emetojnë gati 200 deri në 300 milionë eurobono, ose e thënë ndryshe gati 500 milionë dollarë, shumë kjo goxha e konsiderueshme. "E veçanta e këtij buxheti do të jetë huamarrja në tregun evropian, pra në emetimin e bonove të thesarit", ka deklaruar në një prononcim për gazetën "Panorama", zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Sipas tij, ekspertët e kësaj ministrie po punojnë paralelisht me njoftimin publik për emetimin e eurobonove, i cili do të ndodhë në muajt e parë të vitit 2009. "Brenda shtatorit ne do të bëjmë edhe njoftimin publik. Eurobonot do të kenë një afat maturimi prej 5 deri në 10 vjet. Kjo do të jetë huamarrje nga tregu, gjë që do ta listojë Shqipërinë në bursat ndërkombëtare, sepse letrat me vlerë ose obligacionet e qeverisë shqiptare do të jenë të shitshme në tregun evropian", ka thënë Shehu. Sipas tij, vlera e tyre do të arrijë nga 200 deri në 300 milionë euro. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, projektbuxheti i vitit 2009 në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Për vitin e ardhshëm shpenzimet buxhetore parashikohen që të arrijnë në 32.52% të PBB-së. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2009 parashikohen të rriten me 16.71% në krahasim me buxhetin suplementar 2008. Sipas tabelës fiskale të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, rezulton se ish të përndjekurit politikë do të kenë një fond prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 24 milionë dollarë, ndërkohë që në vitin 2008 fondi në favor të ish të përndjekurve ishte rreth 12 milionë dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›