Olldashi: Rruga Durrës – Kukës përfundon më 27 qershor

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi deklaroi në Tiranë se rruga Durrës-Kukës do të përfundojë me datë 27 qershor. Gjatë një vizite në stendat e vendosura pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë me foto nga punimet në rrugën Durrës-Kukës, të cilat po kryhen nga kompania Bechtel Enka, kreu i transporteve, duke e konsideruar këtë stendë si një "shkollë inxhenierie" ftoi edhe opozitën të vizitojë këtë rrugë. "Por, unë besoj që kjo ekspozitë lëvizëse ka dhe një vlerë tjetër, i jep mundësinë edhe opozitës, të paktën virtualisht t'a përshkojë këtë rrugë, të vijnë t'a shikojnë këtu meqënëse nuk kanë marrë kurrë mundimin t'a shikojnë realisht, të shikojnë veprat e saj, detajet e saj që janë të pakrahasueshme me gjithcka tjetër që është bërë deri më sot në këtë vend", deklaroi Olldashi. Sipas pedagogut të gjeografisë, Romeo Hanxhari, ekspozita është punuar nga një grup pedagogësh të universitetit. "Qëllimi është për të bërë të njohur për publikun atë që ndodh në këtë ngjarje kaq të madhe për vendin tonë në këtë vepër të rëndësishme, e cila nga ne që vijmë nga fakultete të ndryshme është konsideruar si një shkollë për standardet, qoftë për ndërtimin ,qoftë për mjedisin, po ashtu edhe për propozionet e zhvillimit lokal dhe të zhvillimit kombëtar", tha ai.
Sipas tij, kjo është një rrugë që e kthen Shqipërinë nga një sistem i mbyllur në një sistem të hapur, zgjeron tregjet dhe njëkohësisht tregon se si duhet të punojmë edhe në të ardhmen për të krijuar një vizion zhvillimor sa më bashkohor dhe me një vizion sa më afatgjatë për një zhvillim të qëndrueshëm. Stenda, e cila përmban foto të punimeve të rrugës Durrës-Kukës është vendosur nga shoqëria civile, në bashkëpunim me pedagogë të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë përgjatë një javë kjo ekspozitë do të lëvizë edhe në qytete të tjera të vendit, për t'iu bërë të njohur të gjithë qytetarëve jo vetëm punimet në rrugë, por edhe standartet dhe rëndësinë e saj. Ndërtimi i rrugës Durrës - Kukës që lidh Shqipërinë me Kosovën është ambicja kryesore e qeverisë shqiptare në fushën e infrastrukturës. Kjo rrugë nisi menjëherë me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike në 2005, ndërsa fondet kryesore i mori ndërtimi i një tuneli në Thirrë dhe Kalimash. Të dhënat nga kantieret e rrugës flasin për një ecuri mjaft të mirë të punimeve dhe mbarimin e saj ne fund të qershorit të këtij viti.
...