Pier Mirel: “Konsensusi politik është thelbësor për integrimin në BE”
Eljona Ballhysa
Drejtori i Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Europian, Pier Mirel, kanë vënë theksin dje në domosdoshmërinë e gjetjes së konsensusit politik në zgjidhjen e krizës në vend. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Tiranë në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asocimit, Pier Mirel ka deklaruar se arritja e konsensusit politik është thelbësore në ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Madje Mirel ka theksuar se ky konsensus duhet të arrihet në Komisionin e Ligjeve para datës 18 mars, për shkak se më 19 mars Shqipërinë e viziton komisioneri i ri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule. Vlerësimi i tij për situatën në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra është thelbësor për proceset integruese të vendit. Gjatë fjalës së tij Mirel gjithashtu ka bërë të ditur se presin nga qeveria shqiptare dhe politika në tërësi që të vazhdojë me reformën në Gjyqësor dhe reformën e pronësisë. Ai gjithashtu bëri të ditur se do të ndiqet me vëmendje zëvendësimi i 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mirel tha se Komisioni do të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë në mes të vitit 2010.
Kriza politike
Mirel u drejtoi një thirrje të qartë partive politike shqiptare të arrijnë urgjent kompromis për zgjidhje konstruktive të çështjeve politike duke iu referuar Komisionit të Ligjeve që po diskuton këto ditë nismat e PS-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kompromisi politik është thelbësor për integrimin në BE. Me rëndësi të madhe në këtë moment është gjetja e një konsensusi politik ndërmjet palëve. Aplikimi për anëtarësim në BE dhe përgatitja e KE-së për dhënien e opinionit janë dëmtuar disi nga situata politike dhe bojkoti i Parlamentit. Tashmë ne e mirëpresim që anëtarët e PS-së janë kthyer në Parlament dhe ajo që është e rëndësishme në ditët në vazhdim është që Komisioni i Ligjeve të sigurojë që do të ketë një qëndrim konstruktiv, por dhe Parlamenti gjithashtu, dhe kryetarja e tij, kanë një rol të rëndësishëm për gjetjen e një zgjidhjeje”, - tha zyrtari i lartë i KE-së. “Duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi, e cila duhet kërkuar gjatë ditëve në vijim deri më 18 mars, në mënyrë që Parlamenti të funksionojë ashtu si duhet. Është thelbësor konsensusi mes partive politike. Është jetik dhe shumë i rëndësishëm që të mbahet ky konsensus për integrimin në BE”, - është shprehur Mirel. Sipas tij, 6 muaj bojkot i Parlamentit kanë dëmtuar procesin e vlerësimit të ecurisë së reformave në Shqipëri. Sipas Mirel, edhe kryetarja e Parlamentit mund të luajë një rol kyç, në mënyrë që të sigurojë arritjen e një zgjidhjeje permanente të krizës politike para datës 18 mars. “Sot që anëtarët e PS-së janë kthyer në Parlament ne presim që në Komisionin e Ligjeve të gjendet një zgjidhje e kënaqshme dhe e përhershme. Kërkesa ime për këtë komision është që të gjendet një zgjidhje që vendi të tregojë se është një demokraci e pjekur. Ne shpresojmë që zgjidhja të gjendet përpara datës 18 mars dhe them se do të jetë një ditë e rëndësishme. Prandaj shpresojmë që kur komisioneri Fule, që është komisioneri i ri për Zgjerimin, kur të vijë në datën 19 mars, të gjejë një situatë të qartë dhe të vendosur”, - është shprehur Mirel. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në fjalën e saj, përsa i përket krizës politike, u shpreh se qeveria është e gatshme që kjo krizë të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e vendit. “Për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit qeveria është e gatshme të bëhen, por vetëm brenda kontureve kushtetuese. Zgjedhja e kriterit politik me shumë vullnet nga maxhoranca do të na hapte dritën jeshile që ne të punojmë pa u ndaluar deri në plotësimin e të gjitha kritereve, të cilat na janë vënë nga BE-ja për hapa të sigurt drejt integrimit europian”, - theksoi Bregu.
Vizat
Përsa i përket liberalizimit të vizave, Mirel bëri të ditur se Komisioni Europian do të mbajë premtimin dhe do t’i bëjë propozim Këshillit që të shqyrtojë kërkesën për Shqipërinë në mes të këtij viti. “Ajo që thashë unë sot në këtë takim është se ne tani presim raportet që do të na sjellin ekspertët që vizituan Shqipërinë gjatë javëve të fundit. Konkluzionet e tyre ne do t’ua sjellim kolegëve tanë në Shqipëri. Kjo është praktika jonë e përhershme në mënyrë që të mos kemi keqkuptime. Më pas ne do të përgatisim vlerësimin tonë, që do të bazohet në standardet, në reformën ligjore dhe në konkluzionet e ekspertëve. Vlerësimin do ta ndajmë me shtete anëtare në Bruksel, pastaj Komisioni Europian do të dërgojë në Këshill propozimin e vet dhe më pas do të mbetet në dorën e Këshillit për të vendosur. Ne kemi ndjekur me Shqipërinë të njëjtën metodologji si me vendet e tjera të rajonit. Ne jemi angazhuar dhe kemi thënë se do ta japim propozimin tonë në mes të vitit 2010 dhe do ta mbajmë fjalën”, - është shprehur drejtori për Zgjerimin, europian Pier Mirel.
Reformat
Më pas ai ka vënë theksin në domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në Shqipëri, veçanërisht reforma e pronësisë, e cila, sipas tij, ndikon në thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Po kështu, Mirel është shprehur se Komisioni Europian pret që Shqipëria të vazhdojë reformën në Gjyqësor dhe se KE-ja do të ndjekë zëvendësimin e 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Ne kemi kërkesa që të vazhdohet me reformën në Gjyqësor. Ne po ashtu kemi ngritur një çështje që ka të bëjë më të drejtën e pronësisë dhe ne besojmë se kjo është një pengesë për investimet e huaja në këtë vend. Duhet të shikojmë Kushtetutën në sistemin e kontrollit dhe balancave. Ne do të ndjekim me shumë kujdes zëvendësimin e 6 gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese”, - është shprehur Mirel, ndërsa ka vlerësuar miratimin e disa ligjeve, siç është ligji për antidiskriminimin, ai për prokurimin publik si dhe strategjinë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kërkesa e Komisionit Europian
Kriza politike të zgjidhet para datës 18 mars.
Komisioni i Ligjeve të arrijë në një marrëveshje të kënaqshme dhe të përhershme.
Kryetarja e Kuvendit të luajë një rol kyç në gjetjen e zgjidhjes së krizës.
Kriteri politik është thelbësor në proceset integruese të vendit.
Politika shqiptare të vazhdojë reformën në Gjyqësor.
KE-ja do të shikojë me kujdes zëvendësimin e 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Të vazhdojë reforma e pronësisë, pasi pengon investimet e huaja.
13 Mars 2010