Dhoma e Përfaqësuesve miraton paketën e stimujve prej 819 miliardë dollarësh

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, miratoi mbrëmë paketën prej 819 miliardë dollarëshe të stimujve për ekonominë, duke shënuar kështu një fitore të rëndësishme për Presidentin Barak Obama. Para se Presidenti ta nënshkruajë paketën në ligj, atë duhet ta miratojë edhe Senati i Shteteve të Bashkuara. Menjëherë pas miratimit të paketës, zoti Obama bëri një deklaratë, ku thonte se i është mirënjohës Dhomës së Përfaqësuesve për miratimin e planit. Presidenti gjithashtu paralajmëroi që diferencat partiake të mos bëhen pengesë për miratimin e paketës në Senat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, në favor të paketës nuk votoi asnjë ligjvënës republikan, duke thënë se ajo përmban shpenzime të panevojshme dhe se nuk e stimulon ekonominë, ndërsa demokratët ishin në përgjithësi të bashkuar, duke e mbështetur atë.
Ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve, në qendër Kryetarja Nanci Pelozi
Pas dy ditë debatesh lidhur me ligjin kryesor dhe 11 amendamente, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 244 pro dhe 188 kundër paketës së stimujve.
Vizita këtë javë në Kongres e Presidentit Obama në përpjekje për të qetësuar shqetësimet e republikanëve nuk arriti ta bindë pakicën republikane të votonte pro paketës së stimujve.
Asnjë republikan nuk arriti t'i kapërcejë linjat partiake, për ta mbështetur paketën. Rreth 12 demokratë votuan ndryshe nga partia e tyre, kundër paketës.
Para miratimit të paketës, Dhoma e Përfaqësuesve e mbizotëruar nga demokratët, hodhi poshtë një amendament të republikanëve që kërkonte eliminimin e të gjitha klauzolave të shpenzimeve të parashikuara.
Dhoma e Përfaqëseusve, po ashtu hodhi poshtë një plan alternativ, për të cilin pakica republikane theksoi se do të gjeneronte dy milionë vende pune më tepër se sa plani i demokratëve, si dhe një përpjekje përfundimtare të republiklanëve për të mos lejuar miratimin e paketës.
Ndërsa filloi debati, Kryetari demokrat i Komisionit të Buxhetit të Kongresit, David Obei, u bëri thirrje ligjvënësve të mbështesin kërkesën e Presidentit për paketën e stimujve.
"Në se dikush nuk ka një ide shumë më të qartë, mendoj se ne kemi detyrimin të mbështesim propozimin e Presidentit, i cili është i vetmi plan i mire që qarkullon", - tha zoti Obei.
Republikanët thonë se propozimet e demokratëve nuk përfshijnë sektorë më të rëndësishëm të ekonomisë me fondet e nevojshme dhe nuk injektojnë para me shpejtësinë e nevojshme për të ndihmuar rënien e mëtejshme ekonomike.
Republikani Majk Pens i akuzoi demokratët se e injorojnë thirrjen e Presidentit Obama për mbështetjen e planit të stimujve nga të dyja partitë.
"Premtimet për ndryshim dhe politikë dy partiake zbehen, përballë një pakete me stimuj e cila në fakt siguron fonde për një listë objektivash që janë me përparësi e per liberalët", - tha zoti Pens.
Demokrati Xhorxh Miller i akuzoi republikanët se po përpiqen t'i çojnë më tej ato që ai i cilësoi "politika të dështuara"të adminitratës së Presidentit Bush.
"Kolegët tanë republikanë na kërkojnë për herë të fundit të bëjmë atë që ata e kanë bërë gjatë 8 vjetëve të fundit, që të shkurtojnë edhe një herë taksat për të pasurit, për t'u zhytur kështu edhe një herë në pellgun e papërgjegjshmërisë fiskale", - tha zoti Miller.
Paketa 819 miliarde dollarëshe e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve është pak më e vogël se ajo origjinale prej 825 miliardë dollarësh. Në paketë përfshihen qindra miliona dollarë shpenzime për një numër të madh programesh të brendshme, më tepër përfitime për papunësinë dhe rreth 275 miliardë dollarë për shkurtime taksash.
Në një deklaratë përgëzimi me rastin e miratimit të paketës së stimujve për ekonominë, Presidenti Obama tha se shpreson t'i vazhdojë përpjekjet me ligjvënësit për përmirësimin më tej të planit ekonomik, para se ai të shkojë tek ai për firmë.
Shumica demokrate do që t'ja çojë Presidentit paketën e stimujve për ta nënshkruar në ligj, deri në mesin e muajit shkurt, kur Kongresi të ketë pushimin e ardhshëm.//lk