Administrata “Berisha”, e hapur për një monitorim ndërkombëtar, gjatë zbatimit të ligjit të Lustracionit

Takimi me Trojkën Evropiane/ Zëvendëskryeministri Genc Pollo garanton se qeveria do të marrë përsipër një zbatim korrekt e të paanshëm të ligjit të dosjeve
TIRANE - Qeveria shpreh zotim të plotë për zbatimin korrekt e të paanshëm të ligjit “Për Pastrimin e figurës së zyrtarëve të Lartë” dhe njëherazi jep garancinë se personat e prekur nga ky ligj, kanë mundësinë e ankimimit para hyrjes në fuqi të vendimeve.
Çështja e dosjeve ka qenë kryetema e takimit të djeshëm që Zëvendëskryeministri Genc Pollo zhvilloi me Trojkën Evropiane të përbërë nga ambasadorja e Çekisë Marketa Fialkova, e ngarkuara me punë e Suedisë Elisabet Stam dhe shefi i delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan.
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, i siguroi bashkëbiseduesit se, “qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, dhe se çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. (Ankimimi mund të vijojë eventualisht edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg). Ky ligj ka një afat veprimi 5-vjeçar dhe pushon së vepruari më 31.12.2014”.
Gjithashtu Pollo tha se, është e mirëpritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës, përbërë nga 5 anëtarë, nga të cilët opozita përcakton 3 të tillë.
“Kjo përfshirje, është jo vetëm detyrë ligjore, por dhe përgjegjësi publike kontribuon në besueshmërinë e procesit”.
Zëvendëskryeministri Pollo e falënderoi Trojkën për mirëkuptimin e BE mbi nevojën e Shqipërisë për t’u ballafaquar me të shkuarën nën një regjim komunist dhe domosdoshmërinë për t’u ndarë përfundimisht prej tij, bazuar në normat morale të gjithë-pranuara, dhe mirëpriti gjithashtu monitorimin e zbatimit të këtij ligji nga ana e BE-së
Aldo Bumçi: “Rama kundër standardit moral që ndan Shqipërinë nga e kaluara”
TIRANE - Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së Ado Bumçi duke shprehur qëndrimin e mazhorancës për ligjin e dosjeve është shprehur se ai vendos standarde shumë të rëndësishme për vendin. “Ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë vendos standarde, që përbëjnë një pikë referimi për të frymëzuar shoqërinë postkomuniste shqiptare”, tha ai.
Duke iu referuar kryesocialistit Rama, zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së tha më tej se, “Rama dhe PS-ja janë kundër këtij standardi moral që e ndaj Shqipërinë nga e kaluara”. Me këtë rast, Partia Demokratike i bën thirrje Ramës që të shkëputet nga trashëgimia e Partisë së Punës.