Shqipëri-Mal i Zi, objektiva të përbashkët integrimin në strukturat e NATO-s dhe BE-së

Kryetarja e Kuvendit, vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të homologut Krivokapiç
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare Në Podgoricë, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapic. Në kuadër të interesave të përbashkëta dy kryeparlamentarët u ndalën në një çështje të përbashkëta siç është ajo e integrimit evropian.
Kryeparlamentari i Malit të Zi, Krivokapic i ka dhënë sihariqin Topallit për njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi.
Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e saj të veçantë për këtë vendim të rëndësishëm të ndërmarrë nga Mali i Zi pak kohë më parë si dhe nënvizoi faktin se me pavarësinë e Kosovës, rajoni dhe perspektiva e tij është bërë më e sigurt dhe më e qartë.
Bashkëbiseduesit diskutuan dhe rreth një sërë projektesh të përbashkëta si rruga hekurudhore Shkodër-Hani i Hotit, projekti i rrugës Podgoricë-Pllavë, ideja për transport detar përmes liqenit të Shkodrës apo linja i interkonjeksionit Elbasan –Mali i Zi, punimet për të cilën tashmë kanë nisur.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gajatë vizitës së saj në Malin e Zi u prit edhe nga Presidenti i këtij vendi, Filip Vujanoviç. Gjatë bisedës me Kryetaren Topalli, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç është shprehur se “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria dhe përshpejtimi i ratifikimit të protokollit të NATO-s, është një inkurajim dhe mbështetje për Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin”.
Nga ana e saj Topalli tha se, “Rajoni, po përjeton momente historike dhe po përshpejton hapat drejt NATO-s dhe BE-së. Çdo sukses i secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor është një sukses për të gjithë rajonin tonë”.
Në kuadër të përmbushjes së aspiratës nga Mali i Zi, për anëtarësim në NATO dhe BE, Kryetarja e Kuvendit garantoi Vujanoviç se Shqipëria është një mbështetëse e fortë e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me NATO-n dhe BE-në, duke siguruar se autoritetet shqiptare do të japin të gjithë eksperiencën e tyre për vendet e tjera të rrajonit.
“Politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Malit të Zi”, ishte çështje që zuri vendin kryesor gjatë takimit që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Rocen.
Në kuadër të politikave të jashtme të të dyja vendeve Kryetarja e Kuvendit, siguroi ministrin Rocen për mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Malin e Zi në rrugën e tij të integrimit, si dhe nënvizoi prioritetet e Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar, duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefana Topalli dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte gjatë vizitës së saj zyrtare në Malin e zi, ka zhvilluar takime me disa me përfaqësuesit e partive shqiptare në parlamentin e Malit të Zi .
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, kryesuar nga Ferhat Dinosa, me përfaqësues të Alternativa Shqiptare, kryesuar nga Vaselj Sinistaj dhe përfaqësuesit e Aleancës Demokratike, kryesuar nga Mehmet Bardhi, temë e bisedave ishte rritja e bashkëpunimit mes deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe deputetëve të partive shqiptare të Malit të zi, për të konkretizuar projekte dhe nisma të përbashkëta jo vetëm dypalëshe por edhe rajonale. Kryetarja Topalli vlerësoi rolin e partive shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi në harmonizimin e jetës në këtë shtet multietnik, por edhe kontributin e tyre në reformat e realizuara nga Mali i zi në perspektivën e tij Euro-Atlantike. Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në Bashkinë e Podgoricës dhe atë të Tuzit, ku bisedoi me krerët më të lartë të këtyre institucioneve, me Miomir Mugosa, Kryetar i Bashkisë së Podgoricës dhe Smajl Cunmulaj, Kryetar i Bashkisë Tuz. Biseda mes tyre u fokusua rreth projekteve konkrete që lidhin Shkodrën me këto dy qytete por përmes tyre Shqipërinë dhe Malin e Zi.