Parlamenti, konsensus për aplikimin për statusin e kandidatit në BE

Deputetët miratuan dje disa shtesa e ndryshime në projektrezolutë, ndërkohë që Komisioni i Integrimit i dha “ok” qeverisë për të aplikuar për statusin e kandidatit në BE
TIRANE - Komisioni parlamentar i Integrimit Evropian, gjatë mbledhjes së ditës së djeshme miratoi disa ndryshime në projektrezolutën “Për nxitjen e qeverisë për paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE”. Drafti i miratuar është hartuar nga Komisioni i Jashtëm, me iniciativën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Pas ndryshimeve të miratuar, deputetët e Komisionit të Integrimit kërkuan që të hartohet një dokument përfundimtar, më parë se ky draft t’i kaloi Kuvendit për miratim. Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ilir Meta u shpreh gjatë mbledhjes së komisionit se “Kryetarja e Kuvendit, para seancës plenare ku do të diskutojë projekt-rezolutën, të kërkojë edhe njëherë konsensusin e të gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të shkohet me një rezolutë të vetme dhe të plotë. Shpresojmë që kjo të ndihmojë në angazhimin e parlamentit dhe qeverisë në këtë drejtim”. Ndërkohë që deputeti i Partisë Demokratike, Genc Juka u shpreh se “komisioni i Integrimit ka qenë më afër çështjes së aplikimit të Shqipërisë dhe e njeh më në detaje këtë proces, ndaj mund të japë një kontribut më të madh. Që nga firmosja e MSA-së qeveria shqiptare ka qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe ne kemi punuar shumë për ta kompletuar procesin”.
Deputetët e opozitës, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla, propozuan disa ndryshime, ku ndër të tjera kërkuan që “qeveria shqiptare, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në BE, të hartojë dhe t’i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme”.
Në projektrezolutën e paraqitur në komisionin e Integrimit, renditen një sërë propozimesh, ku ndër të tjera kërkohet që ky program të adresojë të gjitha çështjet që lidhen me infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 qershor 2009, forcim të kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE, respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të së drejtës së pronës dhe lirisë së Mediave.
Ky dokument inkurajon qeverinë shqiptare që, në momentin e përshtatshëm dhe në konsultim me vendet anëtare të BE-së, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm ndërkombëtar.