“FRPD intensifikon aksionin politik, në funksion të garantimit të mandatit të dytë të PD-së”

Kreu i FRPD-së Sokol Olldashi kërkoi gjatë Këshillit Kombëtar angazhimin e më shumë të rinjve në strukturat e forumit. Keltis Kruja merr funksionin e sekretarit të Përgjithshëm të Forumit Rinor të PD. Flamur Noka, angazhohet me përgjegjësi të reja në PD
TIRANE - Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të qershor 2009-s, Këshilli Kombëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, është mbledhur dje dhe ka inicuar angazhimin politik në mbështetje të Partisë Demokratike, për ta rikonfirmuar në qeverisjen e vendit, edhe për një mandat tjetër. FRPD angazhohet, për konsolidimin e strukturave të tij që nga seksionet, grup-seksionet, degët e deri në qendër.
Këshilli Drejtues Kombëtar i FRPD vendosi gjatë mbledhjes, përfshirjen e të gjithë drejtuesve rinorë në një fushatë të re që synon rritjen e përgjegjësive të të rinjve demokratë në funksion të garantimit të mandatit të dytë të PD-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve dhe njëherazi kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, vlerësoi punën dhe arritjet e deritanishme, si dhe angazhimin e anëtarëve të këtij forumi për të garantuar një mazhorancë të re edhe më solide të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në këtë drejtim, Olldashi evidentoi rolin e të rinjve në përmbysjen e sistemit të korrupsionit që instaluan të majtët gjatë tetë viteve të keqqeverisjes së tyre (1997-2005).
Ai vuri në dukje se, Forumit Rinor i PDSH dhe strukturat e tij në të gjitha rrethet u angazhuan maksimalisht në dy zgjedhjet e fundit, ato parlamentare të korrikut 2005 dhe në zgjedhjet vendore të 2007, duke qenë pjesë vitale e fitores së PD-së në këto zgjedhje. Pasi foli për përfaqësimin e FRPD-së në të gjitha nivelet e qeverisjes, Olldashi kërkoi angazhimin e më shumë të rinjve në të ardhmen në strukturat e këtij forumi dhe pjesëmarrjen e tyre në mënyrë aktive në qeverisjen e vendit.
Në vijim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të FRPD-së, Flamur Noka, dha dorëheqjen nga funksioni i Sekretarit të Përgjigjëm të forumit dhe merr angazhime me përgjegjësi të tjera në Partinë Demokratike. Në vend të tij, u ngarkua me detyrë Keltis Kruja.
Forumi Rinor (FRPD) është një nga dy organizatat partnere të përhershme të Partisë Demokratike, të përcaktuara në nenet 56 dhe 57 të Statutit të partisë. I krijuar në vjeshtën e vitit 1991 nga studentë themelues të Partisë Demokratike e pjesëmarrës aktivë në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘90, FRPD është e para organizatë politike rinore e krijuar në skenën e pluralizmit shqiptar, që përfshin në anëtarësinë e tij të rinjtë demokratë nga mosha 16 deri në 35 vjeç. Gjatë gjithë ekzistencës së tij, si organizatë politike rinore, FRPD është udhëhequr nga parimet e demokracisë, lirisë së fjalës, së mendimit e dinjitetit njerëzor, duke pasur si qëllim ruajtjen e vlerave dhe idealeve të revolucionit demokratik, antikomunist të vitit 1990.
Për Partinë Demokratike, FRPD përfaqëson një nga strukturat më të rëndësishme të saj, jo vetëm si një qendër e bashkimit dhe organizimit të të rinjve që ndajnë të njëjtat ideale dhe aspirata të qendrës së djathtë, por edhe si një shkollë e përgatitjes së politikanëve të rinj.